KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, qeveria miraton projektligjin për vazhdimin e misionit të EULEX

Kosovë, qeveria miraton projektligjin për vazhdimin e misionit të EULEX

Qeveria e Republikës së Kosovës zhvilloi mbrëmë mbledhjen e 93-të, ku miratoi Projektligjin për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Zëvendëskryeministri i parë e ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, prezantoi projektligjin.“Ju e dini që të premten kemi miratuar një projektligj i cili ka të bëjë me ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare dhe kemi pasur për bazë letrën e Presidentit të Republikës dërguar Zonjës Mogherini. Në mungesë të një përgjigje tani ka nevojë që ky ligj të modifikohet dhe të quhet Ligji për Vazhdimin e Mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Arsyeja kryesore është që tani jemi në ditët e fundit të përfundimit të mandatit aktual të EULEX-it dhe me qëllim të tregimit të përkushtimit tonë për Misionin e EULEX-it në Kosovë dhe rritjen e kapaciteteve tona për rend dhe ligj, si dhe për të shprehur gatishmërinë për të vazhduar mandatin e tyre në Kosovë edhe për dy vjet, propozoj që ta miratojmë këtë projektligj dhe ta dërgojmë në Kuvendin e Kosovës”, tha zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Kryeministri Isa Mustafa tha se “Do ta procedojmë sonte, në mënyrë që të sigurojmë që mbledhja e Kuvendit të thirret para skadimit të mandatit të EULEX-it dhe vendimi i Kuvendit të merret po ashtu para skadimit të mandatit”. Mandati aktual i misionit të EULEX-it në Kosovë përfundon në 15 qershor të këtij viti, sikurse është parashikuar në letrat e shkëmbimit të Presidentes kosovare dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian në vitin 2014.