KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Qeveria shtyn procedimin e ratifikimit të Demarkacionit

Kosovë, Qeveria shtyn procedimin e ratifikimit të Demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka mbështetur shtyrjen për pak kohë të procedimit në Kuvend për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, përderisa të hapet edhe një debat publik me ekspertët. Megjithatë, Mustafa sërish ka shprehur bindjen, se me marrëveshjen aktuale për Demarkacion, Kosova nuk ka humbur territor, siç pretendon opozita apo edhe disa deputetë të partive në pushtet. Sipas tij, partnerët e koalicionit, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike kanë rënë dakord që të shqyrtohen edhe mundësitë shtesë para se Marrëveshja të procedohet në Kuvend. “Kemi vlerësuar se ka mundësi që akoma të shfrytëzojmë këtë hapësirë dhe të studiojmë të gjitha mundësitë që me ligj të shohim hapjen e mundësive për të argumentuar vërtet që ligji mund të përfshijë argumentimin e fakteve, që do të mundësonin që në të ardhmen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të krijohen situata në të cilat ne do të mund të bisedonim dhe të rishikonim pjesë të caktuara të marrëveshjes në bazë të interesit dypalësh”, është shprehur Mustafa. Pavarësisht shtyrjes së procedimit në kuvend, kryeministri Mustafa, beson se me përcaktimin e kufirit me Maqedoninë dhe tani me Malin e Zi, Kosova nuk ka humbur, por ka shtuar territor. Sipas kryeministrit, bazuar në shifra zyrtare, Kosova kishte 10 mijë e 887 kilometra katror, kurse tani shifrat e Komisionit shtetëror prezantojnë territor prej 10.906 kilometra katrorë. Me gjithë paralajmërimet, ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është shtyrë për pak kohë derisa të sqarohen fillimisht dyshimet dhe të arrihet konsensusi politik brenda koalicionit qeveritar.