KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, reforma zgjedhore shtyhet nga përplasjet politike

Kosovë, reforma zgjedhore shtyhet nga përplasjet politike

Reforma zgjedhore nuk do të jetë në rend dite në Kuvendin e Kosovës, përpara se të zgjidhen problemet apo çështjet për të cilat ka kundërshtime të skajshme ndërmjet partive politike të përfaqësuara në Kuvend, vlerësojnë përfaqësuesit e partive politike të Kosovës, në pushtet dhe opozitë. Kuvendi i Kosovës, pas përplasjeve të forta dhe punës në kushte të rënduara gjatë disa muajve, ende nuk i është kthyer plotësisht normalitetit, me kërcënimet e opozitës se do të pengojë çfarëdo përpjekje për të votuar çështjet si demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Një numër çështjesh të tjera ligjore kanë mbetur pa u diskutuar në mungesë të opozitës në sallë, dhe reforma zgjedhore, që u punua vitet e kaluara, nuk shihet se mund të vihet në rend dite së shpejti. Basri Musmurati, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës, thotë se ekziston pajtimi i kësaj partie për reformë zgjedhore dhe se tashmë, janë identifikuar pikat, të cilat sipas tij, kërkojnë reformim. Vjosa Osmani, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike, thotë se nëse partitë politike përcaktohen që të shkojnë drejt reformës zgjedhore, atëherë duhet pasur parasysh problemet me të cilat janë ballafaquar në zgjedhjet e deritashme. Sipas saj, problemet nuk kanë buruar nga sistemi zgjedhor e as nga ligji për zgjedhjet. Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo opozitare, thotë se nisma për reformën zgjedhore ka pasur edhe në mandatin e kaluar parlamentar, por që nismat e tilla kishin ngecur. “Kosova ka shumë nevojë të ketë një reformë zgjedhore dhe një demokratizim më të madh të shoqërisë. Ne konsiderojmë që, duke u bazuar në përvojën e deritashme, Kosova ka nevojë të ndahet në zona, për shkak të përfaqësimit të kuadrove dhe për shkak të llogaridhënies së deputetëve në zonat, të cilave u takojnë. Prandaj, do të ishte mirë që lista e hapur të jetë në zona dhe përgjegjësia do të ishte shumë më e madhe, por edhe përfaqësimi”, tha Isufi. Sido që të jetë, përfaqësuesit e partive politike, bien dakord në një pikë, që për ngritjen e shkallës së demokratizimit të zgjedhjeve në Kosovë, reforma zgjedhore është e domosdoshme.