KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, sërisht gazlotsjellës në kuvend
Gazi lotsjellës shtyn zgjedhjen e presidentit

Kosovë, sërisht gazlotsjellës në kuvend

Seanca e parë plenare sesionit pranveror e Kuvendit të Kosovës e mbledhur të premten është ndërprerë, pasi deputetët e opozitës hodhën sërish gazlotsjellës. Ngjarja ndodhi kur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli po mbante fjalën. Pak më parë kuvendi miratoi një deklaratë kundër dënimeve të kosovarëve nga gjyqet serbe.
Sjellja e deputetëve të opozitës ishte paralajmëruar prej kohësh. Në fillim të seancës kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, paraqiti një deklaratë, me anë të së cilës opozita kërkonte dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Ky regjim është i shkarkuar dhe s’mund të vazhdojë të punojë më” tha jashtë sallës së kuvendit Ramush Haradinaj kreu i AAK.
Situata politike në Kosovë vazhdon edhe më tej të jetë e acaruar ndërsa vendi po shkon drejt zgjedhjeve presidenciale. Më 6 prill mbaron mandati i presidentes aktuale Jahjaga, ndërsa kandidat i vetëm për ta zëvendësuar është zevendëskryeministri i dhe ministri i jashtëm Hashim Thaçi, kreu i PDK partia me e madhe në Kosovë me 36 deputetë. Kandidatura e zotit Thaçi mbështetet nga partia tjetër në bashkëqeverisje LDK. Opozita e ka kundërshtuar ashpër kandidaturën e tij. Sipas kushtetutës së Kosovës për këtë post do të duhet të paraqien të paktën 2 kandidatë.