KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, situata politike e tensionuar
Kosovë, situata politike e tensionuar

Kosovë, situata politike e tensionuar

Sitiuata politike në Kosovë vazhdon të mbetet ende e tensionuar.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pas refuzimit të ftesës nga opozita tha se “refuzimi i opozitës për dialog nuk është çështje e mbyllur, ende ekziston mundësia të bisedojmë dhe të gjejmë zgjidhje. Gjatë një deklarimi të shtunën ai tha se “unë kam dhënë iniciativën time në mënyrë që të kalohet kjo situatë dhe mendoj se kjo çështje nuk është e mbyllur dhe ekziston mundësia të ulemi të bëjmë zgjidhje”. Kryeministri kosovar theksoi se “demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është marrëveshje e kryer me përgjegjësi”. Por sipas tij “pasi opozita nuk është e kënaqur, i ftoj edhe një herë që të ngirhet një komision ndërkombëtar”. “Asnjë metër katror nuk e lëshoj unë si kryeministër, kështu që nuk ka arsye askush të thotë hiq nënshkrimin pa argumente. Ajo duhet të vërtetohet dhe kjo bëhet përmes një komisioni ndërkombëtar”tha zoti Mustafa.
Ndërkaq të shtunën në sheshin “Nënë Tereza” në Gjakovë tre partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosje dhe Nisma zhvilluan protestën për të kundërshtuar marrëveshjen e asociacionit të komunave serbe dhe demarkacionin me Malin e zi. Qyetarët kosovarë mbanin në duar pankarta me mbishkrime “Zajednica nuk kalon”, “Nuk i falim tokat tona”, “Stop terrorit qeveritar”.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se “sot këtu jemi për shtet. Sot u themi JO marrëveshjeve, nga Gjakova. Marrëveshjet nuk kalojnë”. “Pushteti i korruptuar, na ka nxjerrë në rrugë, sepse do ta bëjë Serbinë zot shtëpie në Kosovë. Na ka detyruar të përdorim gazlosjellës, se do t’i falë tokë Malit të Zi. Ne i themi JO, se Kosova është një e nuk bëhet dy” tha zoti Haradinaj.
Për kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj “as burgosjet, shantazhet e thyerjet e banesave dhe asgjë nuk do të na ndalë dhe nuk do të na mbyllë gojën deri në anulimin e atyre marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën”.
Nga ana e tij komuniteti ndërkombëtar duket se ka dalë hapur pro qeverisë Mustafa. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha të shtunën se veprimet e deputetëve të opozitës dëmtojnë reputacionin e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Duke folur në konferencën e pestë të Gjyqësorit, ambasadori Delawie theksoi se “Gjatë dy muajve të shkuar kemi parë ngjarjet në kuvend, ku një grup i deputetëve kanë zgjedhur gazin lotsjellës në vend të debatit. Ambasada amerikane dhe të tjera kanë reaguar duke thënë se kuvendi nuk është vend ku duhet të përdoret gazi lotsjellës”, tha Delawie.