KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, tensione mes përfaqësuesve politikë në prag të debatit për demarkacionin
Bjeshket-e-Rogovës-650x358

Kosovë, tensione mes përfaqësuesve politikë në prag të debatit për demarkacionin

Pak ditë para mbajtjes së debatit për demarkacionin, në një tryezë të rrumbullakët, përfaqësuesit politikë në vend, të atyre për dhe kundër procesit, kanë rritur tensionet. Me një gjuhë më të ashpër të dy taborët kanë akuzuar njëri-tjetrin për bllokim të proceseve të rëndësishme të vendit, që, sipas tyre, kanë penguar progresin e Kosovës. Demarkacioni prej muajsh ka ngritur tensionet në vend, ndërkohë që pak ditë para organizimit të një tryeze të përbashkët, ai është bërë çështje e përplasjeve mbi atë se kush ka të drejtë. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka akuzuar opozitën, por edhe ekspertë të ndryshëm se po e bllokojnë lëvizjen e lirë pa viza të qytetarëve të Kosovës, duke bllokuar çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, duke i dhënë të drejtë nënshkrimit të marrëveshjes ndërshtetërore. Por, në reagimin e menjëhershëm, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, vlerësimet e kryeministrit Mustafa, tregojnë për, siç ka thënë,“interesimin e tij që të bëjë propagandë e etiketime dhe jo të punojë për vendin dhe qytetarët”. Analistët politikë vlerësojnë se fjalori fyes dhe gjuha degraduese që kohët e fundit i kanë përcjellë raportet e ashpërsuara ndërmjet pushtetit dhe opozitës në Kosovë, janë shembulli më i keq që mund të shpërfaqet para qytetarëve. Pas shumë deklaratave për dhe kundër, të shprehura kryesisht nëpër media, më 3 gusht, pritet që për herë të parë të ketë një ballafaqim të fakteve dhe argumenteve ndërmjet mbështetësve të Marrëveshjes aktuale që është nënshkruar me autoritetet e Malit të Zi që nga fundi i gushtit të vitit të kaluar në Vjenë dhe atyre që e kundërshtojnë atë. Tre partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, vazhdojnë ta konsiderojnë marrëveshjen me Malin e Zi, si të dëmshme për Kosovën, e cila, sipas tyre, i humb vendit më shumë se 8 mijë hektarë tokë.