KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Tërnava uron Fitër Bajramin
ternava-ssss

Kosovë, Tërnava uron Fitër Bajramin

Me mesazh urimi, myftiu i Kosovës Naim Tërnava i është drejtuar opinionit të gjerë me rastin e përfundimit të Muajit të shenjtë të Ramazanit dhe kremtimit të festës së Fitër Bajramit. Ai ka thënë se gjatë kësaj feste, nëpër familjet e Kosovës duhet të përhapet ndjenja e vëllazërisë, mirësisë dhe dashurisë me njërin-tjetrin, duke uruar e kremtuar këtë festë. Tërnava bëri thirrje për të ndjekur traditat, përmes të cilave ai tha se shprehim bujarinë dhe sinqeritetin me njëri-tjetrin. “Është festa e sakrificës, e devotshmërisë, bamirësisë, solidaritetit, unitetit e bashkimit dhe mirësisë. Gëzim, lumturi, bashkim, urtësi, paqe sjelltë për të gjithë myslimanët kjo festë e Fitër Bajramit. Nëpër familjet e Kosovës edhe gjatë kësaj feste të përhapim ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e dashurisë me njëri-tjetrin, të kemi shëndet, harmoni e lumturi. Urimet me njëri-tjetrin, vizitat nëpër familjet tona, janë tradita që duhet ndjekur për të shprehur vëllazërinë, bujarinë e sinqeritetin, për të uruar dhe gëzuar kësaj feste kaq të rëndësishme”, tha Tërnava.Në urimin e tij për këtë festë, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës ka kujtuar fëmijë e familjarë, të cilët për shkak të luftërave janë të privuar nga kremtimit i kësaj feste. Myftiu Tërnava bëri thirrje për paqe dhe për ndërtimin e një të ardhmeje sa më të mirë për të gjithë. Tërnava tha më tej se kjo festë na rikujton kujdesin e vazhdueshëm që duhet të kemi edhe në këto momente festive për të varfërit, të sëmurët dhe të gjithë ata që janë në nevojë. Urimi vjen një ditë para se myslimanët në të gjithë botën të kremtojnë gjatë së martës festën e Fitër Bajramit, që shënon përfundimin e Muajit të shenjtë të Ramazanit.