KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë, Veseli dhe Busek nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Kosovë, Veseli dhe Busek nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot Erhard Busekun, drejtues i Fondacionit ERSTE nga Austria. Kryetari Veseli dhe Busek nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit midis Kuvendit të Kosovës dhe Fondacionit ERSTE, për zbatimin në Kuvendin e Kosovës të Projektit “Punëtoritë për demokraci/Demos-ti”. Duke falënderuar Busek për përkrahjen që Fondacioni po i jep Kuvendit të Kosovës nëpërmjet këtij projekti, kryeparlamentari Veseli theksoi edhe njëherë përkushtimin e legjislativit të vendit për rritur edhe më tej transparencën para publikut dhe për t’i ofruar qasje sa më të madhe qytetarëve në punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. Projekti “Punëtoritë për demokraci/Demos-ti”, është projektuar si program për edukimin qytetar të fëmijëve të shkollave fillore dhe të mesme, nëpërmjet të cilit ata fitojnë njohuri për demokracinë në Kuvend, funksionimin e Kuvendit, miratimin dhe zbatimin e ligjeve, si dhe rolin e mediave në një shoqëri pluraliste. Projekti zbatohet në formë të punëtorive, në të cilat fëmijët, me ndihmën e trajnerëve, nëpërmjet një përmbajtjeje interaktive dhe në mënyrë të përshtatshme për moshën e tyre, mësojnë se si funksion demokracia.