KRYEFAQJA » LAJME » Kosovë:VV protestë para parlamentit
Kosovë:VV protestë para parlamentit

Kosovë:VV protestë para parlamentit

Parlamenti i Kosovës mblidhet sot për të votuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, e cila u miratua në datën 4 gusht nga qeveria. Ndersa deputetët po mblidhen në godinën e kuvendit për të marrë pjesë në seancën plenare, Lëvizja Vetëvendosja, një nga partitë opozitare që e kanë kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen, po zhvillojnë një protestë para parlamentit. Forcat policore kanë zbarkuar në afërsi të godinës për të menaxhuar situatën, në rast se ajo del nga kontrolli. Para protestës, policia e Kosovës bëri të ditur se gjatë një operacioni për parandalim të veprimeve të kundraligjshme, ka arritur të zbulojë rreth 50 çanta me ‘koktej molotov, brenda në një depo të Termokosit në Prishtinë. Bashkë me policinë e Kosovës, në shesh janë pozicionuar edhe forca të KFOR-it pas paralajmërimeve për dhunë gjatë protestës. Ndërkohë, mediat kosovare bëjnë të ditur se deputetja e Vetëvendosjes, Donika Kadaj-Bujupi, nuk është lejuar të hyjë brenda sallës ku mbahet seanca e Kuvendit. Deputetja tjetër e kësaj levizjeje, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se Kadaj-Bujupi është arrestuar.