KRYEFAQJA » LAJME » KQZ: Partitë të trajnojnë komisionerët
KQZ vendime për zgjedhjet lokale në Kolonjë

KQZ: Partitë të trajnojnë komisionerët

Në prag të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për kreun e ri të Bashkisë në Dibër më 11 shtator, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u bëri të martën thirrje partive politike që të njoftojnë komisionerët e tyre që të marrin pjesë në trajnim. “Në funksion të mbarëvajtjes të proçesit zgjedhor, ku profesionalizmi i komisionerëve zgjedhorë është i një rëndësie të veçantë, dhe detyrim ligjor, KQZ i kërkon partive politike të kryejnë njoftimet për burimet njerëzore të emëruara sipas propozimeve të tyre për komisionerë të KQV-ve dhe anëtarëve të GNV-ve, për të marrë pjesë në trajnim” tha zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj në një deklaratë për mediat.
Zhvillimi i sesioneve të trajnimit synojnë efektshmërinë e trajnimit të komisionerëve dhe shmangien e pengesave për pjesëmarrje. Zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkisë Dibër do të administrohen nga KZAZ nr 19, ndërsa janë ngritur 119 qendra votimi dhe 16 grupe të numërimit të votave. Të regjistruar në listat e votuesve, sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, figurojnë 57.018 zgjedhës, ndërsa do të prodhohen 58.158 fletë votimi.
Partia Socialiste, e mbështetur nga Lëvizja Socialiste për Integrim, do të konkurojë në këtë proces me kandidatin Muharrem Rama, ndërsa Partia Demokratike e opozitës do të garojë me kandidatin Sherefedin Shehu, ish-deputet i saj në këtë zonë zgjedhore.