KRYEFAQJA » LAJME » KQZ rrëzon kërkesat për referendum
KQZ rrëzon kërkesat për referendum

KQZ rrëzon kërkesat për referendum

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar me shumicë votash 3 kërkesa për referendume në lidhje disa projekte të parashikuara për t’u ndërtuar nga Bashkia e Tiranës. Kërkesat ishin paraqitur nga disa pjestarë të shoqërisë civile dhe ishin mbështetur nga PD e opozitës. Bëhej fjalë për ndërtimin e një parkingu tokësor në parkun “Rinia”, hyrjen në Parkun e Liqenit Artificial si dhe këndit të lojrave për fëmijë brenda tij. Lidhur me ndërtimin e parkingut, shumica e anëtarëve të KQZ votuan kundër me argumentin se çështja nuk është e një rëndësie të veçantë. Ndërsa për dy projektet e tjera ata thanë se janë të një çështjeje me rëndësi kombëtare, por nismëtarët kishin kërkuar referendum lokal. Përfaqësuesit e opozitës e konsideruan vendimin e KQZ si politik. “Vendimi i sotshëm i KQZ i ka rrënjët tek betonierët e klientëve të dyshes Rama-Meta që vijnë në këtë park për të hedhur beton përditë. Për përfaqësuesit e qeverisë në KQZ, mushkritë tona nuk janë çështje e rëndësishme që ia vlejnë të bëhet referendum. Për ata të qeverisë në KQZ më e rëndësishme është tesera e partisë sesa Tirana dhe mushkritë e fëmijëve tanë” tha Jamarbër Malltezi i PD. Ende nuk dihet nëse ndonjë prej kërkesave do të riformulohet dhe paraqitet sërish në KQZ.