KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Krerët më të lartë të shtetit shqiptar dënojnë ashpër sulmet terroriste në Stamboll; Mbështetje dhe solidaritet për popullin turk
istanbul-18

Krerët më të lartë të shtetit shqiptar dënojnë ashpër sulmet terroriste në Stamboll; Mbështetje dhe solidaritet për popullin turk

Krerët e lartë të shtetit duke shprehur mbështetjen dhe solidaritetin për popullin turk, dënojnë ashpër sulmet terroriste në aeroportin e Stambollit. Presidenti Bujar Nishani iu drejtua me një letër homologut të tij Erdogan, ku dënon sulmet. “I dënoj me forcën më të madhe këto akte të urryera terroriste që përgjakën muajin e shenjtë të Ramazanit dhe synojnë të trembin e destabilizojnë Turqinë mike, si dhe ju siguroj se në këto momente të vështira e kritike, unë dhe populli shqiptar jemi pranë jush, pranë familjarëve të viktimave dhe popullit mik turk. Zoti ju dhëntë qetësi, kurajë e forcë për përballimin dhe kapërcimin sa më shpejt të kësaj situate tronditëse e kritike.”
Ndërsa Kryeministri Edi Rama që ndodhet për një vizitë zyrtare në Turqi me ftesë të presidentit turk Erdogan është shprehur: “Keqardhje të thellë për jetët e pafajshme të humbura në këtë akt barbar të atyre që s’kanë as Zot as shpresë edhe as vend mes njerezve.” Gjithashtu një tjetër reagim ka ardhur nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në rrjetet sociale. Ai shkruan: “Fuqimisht dënoj sulmin terrorist në Stamboll. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”.
Sulmi terrorist në aeroportin “Ataturk” të Stambollit i mori jetën dhjetra personave dhe la të plagosur shumë të tjerë mes tyre dhe shtetas të huaj.