KRYEFAQJA » LAJME » Kreu i AKZ Spahiu: Nëse qeveria nuk pranon kërkesat, opozita gris mandatet dhe largohet nga parlamenti

Kreu i AKZ Spahiu: Nëse qeveria nuk pranon kërkesat, opozita gris mandatet dhe largohet nga parlamenti

Masat që do të merren nga opozita nëse nuk realizohet numërimi elektronik i votave për zgjedhjet e përgjithshme të 18 Qershorit duket se do të jenë ekstreme. Detajet janë bërë të ditura nga aleati i demokratëve, kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu, sipas të cilit opozita do të grisë mandatet e saj të deputetëve. ” Nëse nuk pranohet votimi elektronik dhe Rama nuk do të japi dorëheqje, opozita dhe deputetët e djathtë do të grisin mandatet dhe nuk do të jenë pjesë e parlamentit shqiptar duke shkaktuar krizë parlamentare, bllokimin e parlamentit dhe më pas të qeverisë” i tha zoti Spahiu RTSH. Me një gjuhë të ashpër ai shtoi se “Halabakët, njerëzit ordinerë, kriminelët, të fortit, injorantët dhe analfabetët nuk mund të jenë numëruesit e sovranitetit popullor”.
Mundësisë për t’ju drejtuar OSBE/ODHIR-it për realizimin e numërimit elektronik, zoti Spahiu i përgjigjet duke sulmuar misionin e ndërkombëtarëve. “OSBE-ja është misioni më i dështuar në Shqipëri. Ka afro 22 vjet që OSBE-ja nuk ka arrit asnjë objektiv. Flet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe procesi zgjedhor sa cjen dhe keqësohet. Në këtë konteks OSBE-ja nuk mund të bëjë avokatinë e votës së shqiparëve” tha për RTSH kreu i Aleancës Kuq e Zi Kreshnik Spahiu. Nuk mund të vijojë të aplikohet një sistem ku votat e shqiptarëve numërohen nga forcat politike, tha ai.