KRYEFAQJA » LAJME » Kreu i NATO-s Stoltenberg të enjten në Tiranë
Kreu i NATO-s Stoltenberg të enjten në Tiranë

Kreu i NATO-s Stoltenberg të enjten në Tiranë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të qëndrojë për disa orë të enjten në Tiranë, në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, njoftojnë burime zyrtare shqiptare. Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bujar Nishani, ministrin e jashtëm Ditmir Bushati dhe ministren e mbrojtjes Mimi Kodheli.

Sipas zyrës së shtypit në Kryeministri, në orën 10:45 pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Më tej, në orën 11:10-11:40 do të zhvillohet takimi mes dy delegacioneve. Ndërsa në orën 11:40 Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp.

Nuk ka njoftime mbi temat e bisedimeve, por nga burime të besueshme mësohet se rritja e buxhetit për mbrojtjen dhe iniciativa e qeverisë shqiptare për krijimin e një qëndre rajonale trajnimi për luftën kundër terrorizmit, e cila mbështetet nga NATO-s pritet të diskutohen. Temë tjetër është dhe situata në Kosovë, mbështetja për Forcat e Sigurisë së saj, për t’i ndihmuar ato në transformimin e tyre në ushtri.

Pa dyshim zhvillimet e fundit në rajonin ballkanik, kryesisht në kuadër të politikave të sigurisë, të luftës kundër terrorizmit, gadishmërisë së NATO-s për të kontribuar në përballimin e fluksit të refugjatëve, si dhe vlerësimi i deklaratave të Rusisë për destabilizim të Ballkanit, pas vendimit të ministerialit për të ftuar Malin e Zi në Alencën Euro-Atlantike, do të jenë në fokusin e bisedimeve të zotit Stoltenberg me autoritetet shqiptare.