KRYEFAQJA » LAJME » Kriza e refugjatëve, BE ndihmë në kufirin shqiptaro-grek

Kriza e refugjatëve, BE ndihmë në kufirin shqiptaro-grek

Bashkimi Europian do të ofrojë asistencë në kufijtë e Shqipërisë me Greqinë. Në deklaratën e lëshuar për këtë qëllim nga Këshilli Europian bëhet e ditur se kjo asistencë do të shtrihet dhe në kufijte veriorë të Greqisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërisë. Synimi i këtij pëforcimi është sigurimi i funksionimit të duhur të pikave të pranimit në kufi me identifikimin 100 për qind regjistrimin dhe kontrollet e sigurisë si dhe sigurimin e kapaciteteve të mjaftueshme të pritjes. Forca e sigurisë europiane FRONTEX,  do t’u kërkojë zyrave kombëtare të shteteve anëtare të ofrojnë oficerë për t’i vendosur në pikat e pranimit në kufi të Europës. Përpunimi i kësaj procedure me kërkesë dhe përgjigje nga vendet anetare do të bëhet deri në 1 prill. Europol do t’i vendosë zyrtarët e ftuar në të gjitha pikat e pranimit për të përforcuar kontrollet e sigurisë dhe që të mbështesin autoritetet greke në luftën kundër trafikantëve. Këshilli Europian e paraqiti deklaratën pas takimit informal që mbajti në orët e vona të së hënës, duke paralajmëruar se një mbledhje tjetër e tij do të mbahet në 17-18 mars, ku do të diskutohet në vazhdim për hapat e mëtejshëm për përballimin e krizës së refugjatëve.