KRYEFAQJA » LAJME » Kriza parlamentare në Kosovë

Kriza parlamentare në Kosovë

Bojkotimi i punimeve të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike opozitare dhe mospjesëmarrja e disa deputetëve të koalicionit qeverisës në seanca parlamentare ka ndikuar negativisht në funksionimin e Kuvendit, duke e futur atë në një krizë institucionale dhe duke përgjysmuar numrin e ligjeve të parapara për t’u votuar, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile. Instituti Demokratik i Kosovës, i cili bën monitorimin e punës së Kuvendit të Kosovës, e konsideron të ulët dinamikën e punës së Kuvendit. Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka thënë se nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar me këtë vit, ka 22 seanca parlamentare më pak. E gjithë kjo, sipas Kryeziut, ka marrë profilin e një krizë parlamentare. Më këtë dinamikë të ulët të punës së Kuvendit të Kosovës, thekson Kryeziu, Kosova nuk do të arrijë t’i përmbushë detyrimet që ka, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij. Deputetët e partive në pushtet dhe atyre opozitare thonë se në Kuvendin e Kosovës janë paraqitur vështirësi në përmbushjen e axhendës legjislative. Viti 2015 për Kuvendin e Kosovës ka qenë vit i karakterizuar me polarizime të skajshme ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë, që rezultuan me krizën më të madhe politike në vend. Kundërshtimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë pikat kulmore të këtyre përplasjeve. Sipas të dhënave nga Instituti Demokratik i Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2015 ka miratuar 47 projektligje nga gjithsej 138 të parashikuara.