KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kriza politike në Kroaci
kroaci

Kriza politike në Kroaci

Kroatët do të kenë së shpejti dy shkaqe për festime, më 25 qershor shënohet 25-vjetori i pavarësisë së Kroacisë. Ndërsa më 1 korrik shënohet 3-vjetori i anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por aktualisht askush nuk është i predispozuar për të festuar. Vetëm pesë muaj pas marrjes së pushtetit, qeveria kroate ndodhet në prag të shpërbërjes. Qeveria e qendrës së djathtë e udhëhequr nga kryeministri jopartiak Tihomir Oreshkoviç konsiderohet si e dështuar. Shkaku kryesor i krizës së rëndë janë akuzat për korrupsion ndaj Tomislav Karamarkos, zëvendëskryeministër dhe shef i partisë nacional-konservatore HDZ. Ai ndodhet nën presion për shkak të një honorari prej 60.000 eurosh, që ka marrë bashkëshortja e tij nga përfaqësuesit e lobiistëve të koncernit hungarez MOL. Mes këtij koncerni hungarez dhe qeverisë kroate ekziston një grindje e hershme, lidhur me aksionet në koncernin kroat INA. Mediat kroate pohojnë se koncerni MOL ka siguruar influencën tek INA përmes konrrupsionit. Për shkak të këtyre kritikave, partneri në koalicion Most ka kërkuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Karamarko. Ndërsa HDZ e ka akuzuar partnerin e deritanishëm në koalicion qeveritar Most për paaftësi dhe ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të kësaj partie, Bozho Petrov. Kulmi i grindjeve u arrit të premten e kaluar, kur kryeministri Oreshkoviç kërkoi dorëheqjen e të dy zëvendësve të tij – Karamarko dhe Petrov. Ndërsa të martën Karamarko ka paralajmëruar mundësinë e mocionit të mosbesimit dhe shkarkimit të kryeministrit Oreshkoviç. Kërkesa për shkarkimin e qeverisë pritet sot, ndërsa votimi në parlament të enjten. Turbullirat politike në Kroaci janë një sinjal i keq edhe për aspiratat e vendeve të Ballkanit për anëtarësim në BE. “Evropianët kanë pritur që Kroacia të jetë një shembull i mirë për vendet e rajonit. Por kjo nuk po ndodh. Si pasojë, Zagrebi ka përjetuar javën e shkuar protestat më të mëdha prej rreth 40.000 demonstruesve.