KRYEFAQJA » LAJME » Kryeministri Mustafa: Numri i veteranëve i ka kaluar parashikimet
qeveria-kosove

Kryeministri Mustafa: Numri i veteranëve i ka kaluar parashikimet

Qeveria e Kosovës ka shqyrtuar gjatë mbledhjes së sotme, raportin e komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit të UÇK së. Sipas asaj që deklaroi Mustafa, numri i tyre i ka tejkaluar parashikimet. Kjo, pasi ministri për Punën dhe Mirëqenien Sociale, Arban Abrashi deklaroi se numri i tyre kap shifrën e 46.230 personave. Megjithatë, pas rekomandimeve të FMN-së, mbetet që kjo çështje të rregullohet në të ardhmen.
“Kemi një qëndrim të prerë të FMN-së. Por, me rendësi është të përmbyllet kjo evidencë dhe çështjet të mbesin për t’u trajtuar në të ardhmen. Raportin e pranojmë si të tillë, por mbesin ende çështje që duhet të rregullohen”, tha kryeministri Mustafa. Qeveria miratoi gjithashtu propozim-vendimin për aprovimin e projektit për procesin e liberalizimit të vizave dhe të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ministri për Integrimin, Bekim Çollaku tha se është e rëndësishme, që qytetarët të jenë të informuar për të gjitha përfitimet nga MSA-ja, por edhe sfidat që bart zbatimi i kësaj marrëveshjeje, sikurse edhe për liberalizimin e vizave. Në vendimet e tjera, qeveria miratoi propozim-vendimin paraprak për shpronësimin në interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të Bankës Themelore, të Bankës së Lubjanës në Prishtinë, të cilat ndodhen në zonën kadastrale të Prishtinës, për nevojat e Qeverisë së Kosovës. Po ashtu, qeveria ka miratuar propozim-vendimin për krijimin e “Task-Forcës”, që do të ketë për qëllim të punojë në favor të anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare të kulturës.