KRYEFAQJA » LAJME » Rama për shpërblimet: “E ardhmja më e mirë jo si një iluzion, por e bazuar në rrugën e reformave”
Kryeministri Edi Rama ka bërë të hënën një tjetër propozim ndaj PD në opozitë, me shpresën për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme kompromisi për Reformën në Drejtësi. Pas një takimi me aleatin e tij Ilir Meta, i cili një ditë më parë u takua me kreun e opozitës Basha, si dhe pas takimeve me ambasadorin amerikan dhe ambasadoren e BE Vllahutin, zoti Rama shprehur bindjen se zgjidhja mund të gjendet dhe të jetë e pranueshme për PD-në, nëse ajo e do vërtet një zgjidhje për "shumicën e cilësuar". Zoti Rama u ndal tek "Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit", ku do të kalojnë në një filtër shumë të imët, me monitorim ndërkombëtar, pasuritë dhe vendimmarrjet ndër vite, si dhe aftësitë profesionale të kujtdo prokurori apo gjykatësi, që do duan të gjykojnë apo të hetojnë në këte vend, si dhe Kolegji i Apelimit, ku ata që kanë pretendime se nuk janë gjykuar drejt nga Komisioni do të kalojnë në një filtër të dytë. “Pa këto instanca jetike, reforma ne drejtësi nuk i duhet as dreqit, e jo më popullit shqiptar” shpreh zoti Rama këmbënguljen e tij."Këto dy institucione janë matanë vijës së kuqe, dhe shumica e cilësuar në këtë rast është vija e kuqe që ne nuk do ta kapërcejmë dhe nuk ka asnjë lloj mundësie për të bërë asnjë lloj kompromisi me PD-në" nënvizoi ai. Kreu i maxhorancës tha se priste me padurim mbledhjen e komisionit të posaçëm për të vazhduar procesin, pasi nuk ka më asnjë ditë për të humbur. Pavarësisht skepticizmit të tij zoti Rama e cilësoi lajmi të mirë faktin që sipas tij PD i ka braktisur të gjitha pozicionet e veta të mëparshme dhe ka ardhur në vetëm një pikë. "2/3-t, që deri dje ishte ajo që kërkonin, sot nuk u bëjnë më punë dhe duan "vendet e rezervuara", se sipas tyre, opozita duhet ta mbrojë sistemin nga kapja" tha ai jo pa ironi. "Ne i kemi ofruar 2/3-t si një kufi ekstrem kompromisi, të bindur, se nuk ka Perëndi që e kap sistemin me një shumicë të tillë, ku edhe opozita ka pjesën e saj në votim, por edhe se kemi dashur të provojmë botërisht se ne nuk na intereson kapja, por na intereson shembja e sistemit aktual dhe ngritja e një sistemi të ri, ku partitë të mos kenë asnjë shteg për t’i zënë rrugën zbatimit të këtij projekti historik, transformimi radikal" tha me tone të larta kryeministri socialist Edi Rama. Në një zhvillim të fundit ekspertët kanë zbardhur draftin përfundimtar për Reformën në Drejtësi duke reflekuar disa kërkesa të opozitës. Sipas tyre mazhoranca është tërhequr nga Tribunali Disiplinor dhe nga Gjykata e Lartë Administrative, por Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të emërohet me 2/3-t e votave në Parlament.

Rama për shpërblimet: “E ardhmja më e mirë jo si një iluzion, por e bazuar në rrugën e reformave”

Kryeministri Edi Rama ka dhënë të martën më shumë hollësi rreth vendimit të qeverisë për të shpërblyer pensionistët, personat me aftësi të kufizuar si dhe të gjithë ata që marrin ndihmë ekonomike. “Duke ndjekur të njëjtën filozofi të një viti më parë dhe në qendër të mbështetjes të atyre që kanë më shumë nevojë. Kemi vendosur që të shpërblehen për vitin e ri 84 mijë përfitues të ndihmës ekonomike me 20 mijë lekë të vjetra” tha zoti Rama. Sipas tij pjesë e skemës përfituese do të jenë edhe rreth 600 mijë pensionistë të të gjitha kategorive, si dhe rreth 63 mijë persona me aftësi të kufizuar. Në listë përfshihen edhe ata që marrin pension të parakohshëm. “Kjo është gjithë paketa e shpërblimeve për personat dhe familjet në nevojë” tha kryeministri Rama.
Por nga shpërblimet e qeverisë do të përfitojnë edhe nxënësit dhe studentët e dalluar që kanë të gjitha notat 10-ta, të cilët do të mund të marrin 50 mijë lekë, ndërkohë që në listë janë edhe mësuesit e spikatur, të cilët do të përfitojnë 40 mijë lekë. Gjithashtu, shpërblim me këtë shumë do të marrin edhe punonjësit e shërbimit spitalor publik, veçanërisht infermierët.
Duke folur për atmosferën në të cilën u mor vendimi i qeverisë zoti Rama tha se “Është një paketë e cila konfirmon plotësisht vëmendjen dhe interesin e qeverisë në këtë vit jo të mirë financiar në këtë përpjekje të madhe reformash dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë jo si një iluzion, por i bazuar në rrugën e reformave”. “Jemi ende në një fazë të ndërmjetme reformash” tha kryeministri Edi Rama.