KRYEFAQJA » LAJME » Kryeministri Rama në qendrën e hemodializës në Vlorë

Kryeministri Rama në qendrën e hemodializës në Vlorë

Funksioni i qendrës së dializës në Vlorë i jep fund trajtimit me 3 turne për pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje. Pacientëve nuk do t’u duhet të udhëtojnë më drejt Fierit apo Tiranës për ta marrë këtë shërbim jetik, por nëpëmjet seancave 4 orëshe kjo u ofrohet në Vlorë. Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj biseduan me pacientet dhe familjarët e tyre.
“Kur morëm vesh se do hapej kjo këtu, u gëzuam e na u shtua jeta. Shkonin tre herë në javë në Fier,” shprehet një paciente. “Pas shumë torturash j’ua dimë për faleminderit të gjithë stafit që ka punuar, që na sollët në shtëpinë tonë më në fund dhe nuk na latë të bridhnim nga një qytet në një tjetër. Tre herë në javë nga 4 orë. Në Tiranë dhe në Durrës e kam pasur turn i tretë,” thotë pacientja.
“Në Tiranë u shtrova në spital dhe bëja dhe dializën. Që andej më sollën në Fier, 5-6 muaj. Sot e kam për herë të parë në Vlorë”. “Nga Vlora shkoja tre herë në javë. Ikja e vija me makinë, me një pjesëtar të familjes”. “Ta dimë për nder, që e mbajte llafin, që na rregullove. Rrofsh me gjithë shpirt ta them,” vazhdojnë pacientët.
Ngritja e qendrës së hemodializës në Vlorë, vjen si pjesë e projektit të fianancimit të partneritetit publik-privat, duke ofruar falas shërbimin për pacientët, ndërsa kostoja mbulohet nga shteti.
“Kjo është prova e prekshme e të vërtetës, që ajo që bota e bën rregullisht dhe e bën rutinë sot, partneritetin publik-privat në shërbimin shëndetësor dhe që këtu është kriminalizuar, sikur po bëhet një hata e madhe, faktikisht rezultatet ja ku janë. Në atë lloj sistemi paguheshin nga shteti 90 euro dhe merrej një shërbim mizerabël. Në këtë skemë, shteti paguan vetëm 80 euro dhe merr shërbim që është brenda standardeve europiane, të certifikuar si kudo. Është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që bëjnë hemodializë të shpëtojnë, siç shpëtuan këta në Vlorë, ata në Korçë, ata në Shkodër dhe ata në Lezhë e me radhë, sipas kontratës. Të vijë ky shërbim dhe të mbarojë kjo torturë për qindra e qindra familje që shohin makthe”, shprehet Edi Rama.
Qendra e dializës në Vlorë është e pesta në rang vendi, qe ofron kushtet më bashkëkohore të trajtimit të sëmundjes.
“Shkurtim kohe për pacientin e familjarët. Nuk shpenzojmë më për transportin. Spitali paguante 3 herë në javë për çdo transport dhe shkonte në vit, 600-700 euro për çdo pacient. Edhe shpërndarjen e barnave me listën e re të rimbursimit do t’i marrin këtu dhe nuk ka më nevojë të vijnë në Tiranë. Është e para në 5 pikat që do hapim këtë vit sipas kontratës,” tha ministri i Shendetësisë.
Në Vlorë kjo qendër mund t’u ofrojë shërbim edhe pushuesve që e kanë të nevojshëm trajtimin e dializës.