KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kryeministri turk: Ka ardhur koha për të ndryshuar ca gjëra në Siri

Kryeministri turk: Ka ardhur koha për të ndryshuar ca gjëra në Siri

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim, paralajmëroi vendet perëndimore se një organizatë terroriste nuk mund të përdoret për të asgjësuar një tjetër organizatë terroriste. Binali Yildirim dha një intervistë ekskluzive për rrjetin transmetues britanik, “BBC”. “Për të asgjësuar një organizatë terroriste nuk shfrytëzohet një tjetër organizatë terroriste. Nëse përdorni një grup terrorist për të eliminuar një tjetër grup terrorist, vjen një ditë dhe ky grup terrorist ju hap bela vetë juve”, u shpreh Yildirim, duke paralajmëruar shtetet perëndimore, që përkrahin organizatën terroriste, PKK, si dhe zgjatimin e saj sirian, PYD. Shefi i Ankarasë zyrtare nënvizoi gjithashtu se është koha për të ndryshuar disa gjera në Siri. “Mbi 500 mijë njerëz kanë humbur jetën. Kanë vdekur njerëz të pafajshëm, njerëz që nuk kishin as mëkatin më të vogël”, tha ai dhe shtoi se Asadi është pengesa më e madhe përpara ndryshimit. Yildirim deklaroi më tej se edhe rruga e zgjidhjes së problemit, që ka të bëjë me Shtetin Islamik, kalon nga një qeverisje pa praninë e Beshar Al Asadit. Kryeministri turk tha se Ankaraja synon të ndërtojë marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje dhe se kanë përveshur krahët në këtë drejtim.