KRYEFAQJA » LAJME » Kryeministria: Rama nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama
PD padit kryeministrin për tre vepra penale, Rama i bën thirrje për Reformën në Drejtësi

Kryeministria: Rama nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama

Zyra e shtypit e kryeministrit Rama ka reaguar të premten ndaj dekarates së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sipas së cilës zoti Rama ka paguar 80 mijë dollarë të paligjshëm për dalë në fotot me presidentin amerikan Obama.   “Duke shprehur keqardhjen për manipulimin mediatik dhe propagandën e baltës lidhur me një foto të vitit 2012 me Presidentin Obama, kryeministri ,Edi Rama, sqaron se ai as nuk ka marrë pjesë në ndonjë organizim elektoral të Presidentit Obama dhe as nuk ka kryer ndonjë pagesë, për të marrë pjesë në një organizim të kësaj natyre. Sepse ligji amerikan ndalon përfshirjen e çfarëdolloji të shtetasve të huaj në fushatë në Shtetet e Bashkuara” sqaron deklarata e zyrës së shtypit të kryeministrit.
“Bilal Shehu, që sot po gjykohet në SHBA për çështjen në fjalë, është pjesëtar i komunitetit shqiptar në New York dhe është takuar me delegacionin tonë në SHBA në vitin 2012. Por, në mënyrë kategorike nuk ka patur asnjë lloj veprimi financiar nga ana e Edi Ramës për të realizuar fotografinë e takimit me Presidentin Obama”bën të ditur deklarata.
“Ndërkohë që duke përfituar edhe nga ky rast, kryeministri i bën thirrje edhe njëherë Lulzim Bashës të fokusohet tek reforma ne drejtësi dhe respektin e tij për drejtësinë në Shtetet e Bashkuara, ta tregojë duke mbështetur projektin kushtetues te Reformës në Drejtësi, qe është hartuar me kontributin e çmuar të Shteteve te Bashkuara dhe Bashkimit Europian”, vijon deklarata.
“Edi Rama nuk ka frikë nga drejtësia, nuk ka frikë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të drejtësisë, nuk ka frikë nga pavarësia e anëtareve që do të bëjnë vetingun e gjykatësve e prokuroreve, po Lulzim Basha me Sali Berishën pse i tremben faktit që ata që do te gjykojnë prokuroret dhe gjykatësit, do te përzgjidhen nga SHBA e BE?!” nënvizon zyrës së shtypit të kryeministrit.
“Është koha e të vërtetës për krimet, akuzat, gënjeshtrat dhe të vërteten mund ta thotë vetëm një drejtësi e çliruar nga kthetrat e vendeve të rezervuara të partive në sistem. Edi Rama dhe shumica janë gati te heqin duart e partive nga sistemi, po Lulzimi, Saliu dhe Partia Demokratike pse nuk janë gati?!” përfundon deklarata e zyrës së shtypit të kryeministrit.

Reagimi erdhi pasi kreu i PD Lulzim Basha, në një dalje për mediat të premten, deklaroi se kreyministri Edi Rama është përfshirë në një skandal hetimi në SHBA. Sipas tij “Hetimet e bëra publike nga mediat prestigjioze ndërkombëtare, thonë së Edi Rama qëndron pas një krimi të rëndë federal, pasi janë dhënë 80 mijë dollarë nga një mbledhje fondesh që iu dhanë një shtetasi shqiptaro-amerikan për fushatën e Presidentit të SHBA-së, Barak Obama. Një akt ky i ndaluar nga ligji amerikan që krejtësisht përjashton futjen e parave në fushatë nga një burim i huaj “. “I  bëjë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të nise hetimin ndaj Edi Ramës për ngjarjen në SHBA” tha zoti Basha.