KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Kryeministrja May njofton BE-në për daljen e Britanise prej saj
Kryeministrja May njofton BE-në për daljen e Britanise prej saj

Kryeministrja May njofton BE-në për daljen e Britanise prej saj

Kryeministrja britanike, Theresa May do të njoftojë zyrtarisht Bashkimin Europian gjatë së mërkurës së ardhshme, se Britania e Madhe do të nisë procesin e largimit nga blloku 28-anëtarësh. “Downing Street” njoftoi këtë të hënë se kryetarja e ekzekutivit britanik do t’u shkruajë një letër 27 krerëve të tjerë të BE-së, duke shtuar edhe pritshmërinë e saj se negociatat do të nisin sa më shpejt të jetë e mundur që pas aktivizimit të “nenit 50” të Traktatit të Lisbonës. Kjo lëvizje e Britanisë vjen 9 muaj pasi britanikët në tërësi votuan me 51.9% në favor të shkëputjes nga BE-ja në referendumin e qershorit të vitit të kaluar. Bisedimet mbi kushtet e largimit dhe marrëdhënieve të ardhshme dypalëshe nuk lejohen të zhvillohen tashmë për shkak të “nenit 50”, por mund të nisin vetëm pasi Britania e Madhe të njoftojë BE-në se do të largohet. Nëse gjithçka shkon sipas udhërrëfyesit zyrtar të përcaktuar për negociata dyvjeçare, “Brexit” mund të bëhet realitet në mars të vitit 2019. Zëdhënësi shtoi se qeveria britanike dëshiron që negociatat të nisin sa më shpejt të jetë e mundur, por shtoi se “mirëkuptojnë tërësisht se, është e drejta e 27 vendeve të tjera anëtare të BE-së që të marrin kohën e mjaftueshme për të rakorduar pozicionet e tyre”.