KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kryeveprat e artit italian të viteve 900 në Tiranë

Kryeveprat e artit italian të viteve 900 në Tiranë

Salla kryesore e Galerisë Kombëtare të Arteve po bëhet gati për të pritur një nga ekspozitat më të plota të Artit Italian të 1900-ës. Kryevepra të artit italian dhe botëror, 102 vepra nga më të çmueshmet do të strehohen në Tiranë nga data 15 Janar. Drejtori i Galerisë Kombëtare, Artan Shabani zbulon enkas për TVSH-në disa prej emrave dhe kryeveprave që kjo ekspozitë e rrallë rezervon. Me këtë ekspozitë shënjohet një startim në rrezen e veprave autentike të artit italian për të cilat është punuar gjatë jo vetëm për ti sjellë por edhe për të plotësuar paktin e besueshmërisë për një galeri si Galeria Kombëtare e Arteve. De Chirico, Donghi, e deri tek Mario Mafai apo Renato Guttuso janë vetëm disa prej mjeshtrave, veprat e të cilëve do të ekspozohen për publikun shqiptar. Një ekspozitë që përveç shijimit të artit ka si synim edhe edukimin e publikut. Me një shtrirje kohore gati 100 vjeçare koleksioni i rrallë dhe shumë i çmueshëm është një zhytje jo vetëm në artin italian, por edhe në rrymat e artit nga natyralizmi dhe simbolizmi tek futurizmi dhe dialogu i traditës italiane me antikitetin.