KRYEFAQJA » LAJME » KSHH e angazhuar për rastin e Pëllumb Marnikollajt
KSHH është angazhuar për rastin e Pëllumb Marnikollajt

KSHH e angazhuar për rastin e Pëllumb Marnikollajt

Rasti i Pëllumb Marnikollajt, familjarët e të cilit pretendojnë se ai është dhunuar në një komisariat të policisë greke e për pasojë ka humbur jetën, ka angazhuar edhe organizatat e fokusuara tek të drejtat e njeriut. Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka kontaktuar me organizatën simotër në Greqi Monitoruesin Grek të Helsinkit për të mbledhur të dhëna mbi ngjarjen. Drejtorja ekzekutive e KSHH Erida Skendaj thotë se pavarësisht nismave të institucioneve shqiptare, janë autoritetet greke që duhet të kryejnë një hetim të plotë e të gjithanshëm për të vënë autorët përpara drejtësisë në rastin e konsumimit të veprës penale.

Ky nuk është rasti i parë, ku ngrihen dyshime se shtetas shqiptar janë keqtrajtuar e torturuar në komisariatet e burgjet greke. I tillë ishte edhe rasti i Ilia Karelit, që humbi jetën në një burg grek 2 vjet më parë. Për këtë ngjarje janë akuzuar 15 gardianë, por ende drejtësia nuk ka gjetur fajtor. Znj.Skendaj thotë se institucione evropiane, siç Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës, Trajtimit dhe Dënimit Ç’njerëzor dhe Degradues ka evidentuar se Greqia nuk ka një sistem efektiv për trajtimin e këtyre rasteve.

Pas ezaurimit të mekanizmave të brendshëm të sistemit të drejtësisë të vendit ku pretendohet se është kryer vepra penale mbetet edhe mundësia për tju drejtuar gjykatës së Stasburgut. Por dretorja ekzekutive e KSHH tregon edhe një rrugë më të shkurtër për të kërkuar drejtësi tek kjo gjykatë.

Për t’ju drejtuar gjykatës së Strasburgut për rastin e Pellumb Marnikollaj do të duheshin precedente të fortë që dëshmojnë se mekanizmat grek nuk janë efektiv për të dhënë drejtësi në raste të ngjashme dhe një argumentim shumë i mirë ligjor.