KRYEFAQJA » LAJME » KSHH reagon ashpër ndaj policisë greke për shtetasin Pëllumb Marnikollaj
Pëllumb Marnikollaj, policia greke, kksh, komiteti shqiptar i helsinkit

KSHH reagon ashpër ndaj policisë greke për shtetasin Pëllumb Marnikollaj

Komiteti Shqiptar i Helsinkit reagoi ashpër gjatë të martës pasi u mësua lajmi se një shtetas shqiptar Pëllumb Marnikollaj humbi jetën në ambientet e policisë së shtetit fqinj Greqisë.

Komiteti shqiptar i Helsinkit i referohet nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe praktikës së Gjykatës së Strasburgut duke thënë se kur vdekja ndodh ne ambientet e organeve të policisë ose në institucionet e paraburgimit dhe në burgje, autoritetet përkatëse janë të detyruara të kryejnë hetime të pavaruara, të paanshme, dhe të menjëhershme, gjë që nuk është bërë.

Komiteti i Helsinkit i sugjeron Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë të ndjekë me precedencë këtë ngjarje të rëndë duke mos u kufizuar vëtëm në njoftimin formal të policisë greke.

Në deklaraten e publikuar gjatë të martës KSHH vëren se shtetasi Marnikollaj ishte i detyruar të paraqitej në organet e policisë greke dhe humbi jetën në këto ambiente pikërisht në datën 3 gusht.

Por Komiteti shqiptar i Helsinkit thotë se është e papranueshme që për këtë ngjarje me pasoje vdekjen nuk është njoftuar as Ambasada jonë në Athinë, as ndonjë nga familjarët apo të afërmit e viktimës.

Është e patolerueshme”, thuhet në deklaratë, “dhe e dhimbshme që vetë familjarët e viktimës, pas kërkimeve të shumta e gjetën trupin e viktimës në frigoriferin e një varreze.”

Si mund të cilësohet, thote organizata shqiptare, pa identitet personi ndaj të cilit është urdhëruar me vendim, “detyrim paraqitje në organet e policise”? Si mund të shpjegohet fakti që autoritetet greke njoftojnë mbi ngjarjen ambasadën tonë në Athinë vetëm kur kjo e fundit kërkon sqarime, kur Ambasada jonë duhej njoftuar menjëherë, kur dihej se viktima ishte shtetas shqiptar.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i kërkon autoriteteve greke të pranojnë përgjegjësine dhe të adresojnë me vendosmëri çështje të keqtrajtimit.

Sipas këtij komiteti në burgjet greke në të kaluarën ka patur edhe raste të tjera që të dënuar me shtetësi shqiptare kanë gjetur vdekjen në rrethana të dyshimta, ndërsa hetimet kanë qënë të vonuara dhe të njëanshme.