KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Ku do ta çojë Poloninë grindja me BE-në për Gjykatën Kushtetuese
poloni eu

Ku do ta çojë Poloninë grindja me BE-në për Gjykatën Kushtetuese

Komisioni i BE-së po ndez shkallën e dytë të procedurës juridike kundër Polonisë. Varshava është e shqetësuar. Por ku mund të çojë grindja për Gjykatën Kushtetuese? Në procesin kundër Polonisë, për shkak të shkeljes së shtetit juridik, Komisioni i BE ecën në tokë të parrahur. Për herë të parë, Komisioni i Junckerit përdor një instrument, të cilin e krijoi jo më larg se në mars 2014 me mbështetjen e Parlamentit Evropian, por kundër rezervave të Këshillit të Ministrave, pra të përfaqësive së qeverive. I ashtuquajturi mekanizëm i shtetit juridik është në thelb vetëm një dialog formal, i strukturuar mes Komisionit dhe “shkelësit të ligjit”. Mekanizmi u ngrit si parashkallë për procesin e mirëfilltë të sanksionimit, sipas Nenit 7 të Marrëveshjeve të Lisbonës të BE. Por përse akuzohet Polonia? Zëvendëspresidenti i Komisionit, Frans Timmermans dhe juristët e tij e akuzojnë qeverinë polake se shteti juridik në Poloni “është i rrezikuar në mënyrë sistematike”. Ndryshimet në përbërjen e Gjykatës Kushtetuese dhe reduktimi i mënyrës si punon ajo e kufizojnë pavarësinë e drejtësisë në një mënyrë të tillë, që i shkel parimet evropiane të shtetit juridik. Këto parime janë fiksuar në Marrëveshjet e Lisbonës, të cilat natyrisht i ka nënshkruar edhe Polonia si shtet anëtar. Refuzimi i qeverisë për të publikuar vendimet e Gjykatës dhe për t’i njohur ato, e kanë acaruar gjendjen. Kryeministrja nacionalkonservatore Beata Szydlo preferon të reagojë me tone të larta. Në mënyrën si vepron Komisioni i BE ajo sheh një sulm ndaj sovranitetit të Polonisë. Ajo ngul këmbë që Partia e saj, pas një fitoreje të madhe në zgjedhjet e vitit të kaluar, ka të drejtë t’i formësojë drejtësinë, mediat dhe politikën në një mënyrë të tillë, siç e dëshirojnë zgjedhësit për mendimin e saj. Por si do të ecë tani procesi? Pas hapjes së dialogut në janar, qeveria polake kishte katër muaj kohë për ta shpjeguar mënyrën si kishte vepruar. Por meqenëse Komisioni i BE deri tani nuk mund të konstatojë se qeveria polake është marrë me rezervat e shprehura nga Komisioni, ai ndez tashmë shkallën e dytë të mekanizmit, duke publikuar një paralajmërim publik ndaj Polonisë, që të kthehet në parimet e shtetit juridik. Tani qeveria polake ka dy javë kohë që të reagojë ndaj paralajmërimit. Po të mos shfrytëzohet ky afat, Komisioni i BE do të japë një rekomandim konkret se cilat hapa juridikë dhe politikë do të ndërmarrë Polonia, veçanërisht për të ruajtur pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe lirinë e medieve.