KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kujdes nga blerjet “on line”, çdo mall mbi 22 euro taksohet
Kujdes nga blerjet "on line", çdo mall mbi 22 euro taksohet

Kujdes nga blerjet “on line”, çdo mall mbi 22 euro taksohet

Duke filluar nga 4 gushti i këtij viti, çdo blerje përmes internetit me vlerë mbi 22 euro jashtë kufirit të Shqipërisë, do të taksohet. E thënë më konkretisht, çdo qytetar që blen mallra “on line” mbi këtë vlerë do të paguajë minimalisht një taksë sa 22.4 përqind e vlerës se mallit, tatimi mbi vlerën e shtuar dhe si takse doganore. Vendimi që tashmë ka hyrë në fuqi, veç blerjeve, takson edhe dhuratat që qytetarët marrin nga jashtë kur ato kalojnë vlerën e 45 eurove. “Blija 5 herë në muaj, tani s’do blej më jashtë, do të blej këtu” tha për TVSH një i ri nga Tirana. Artan Gjergji, ekspert ekonomie mendon se me këtë vendim qeveria vrau blerjet “online” nga individët dhe e gjykon si një lëvizje të gabuar të politikës fiskale. Sipas tij ky vendim, shkon në kah të kundërt me politikat e deklaruara të qeverisë, dëmton konsumin, ndërsa kujton se evazioni është më kollaj i evidentueshëm me pagesat elektronike. Zyrtarisht nuk ka ndonjë reagim lidhur me këtë vendim të qeverisë, por nën zë thuhet se ai është marrë për të goditur konkurrencën e pandershme tregëtare. Kohët e fundit disa individë kishin arritur të hapinin edhe dyqane dhe ta konsideronin blerjen “on line” si biznes.
Dy vjet më parë, një vit pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama, Ministria e Financave e drejtuar nga Shkëlqim Cani, rriti kufirit të shpenzimeve për blerjet “online”, nga 10.000 lekë në 20.000 lekë. Në këtë kohë u vlerësua se ky vendim do t’i sjellë arkës së shtetit një efekt negativ prej afro 30 milionë lekësh, rreth 300 mijë dollarë në vit.
Por duket se kohët kanë ndryshuar. Blerjet “On line” nga minimale disa vjet më parë u rritën ndjeshëm deri në vitin 2014, për të shënuar më pas sërish rënie. Sipas statistikave nga 57 mijë pako në vitin 2010, ato kanë arritur në 224 mijë paketa në vitin 2014. Gjithnjë sipas këtyre burimeve, dërgesat e pranuara (kolipostat) e ardhura në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit 2015 (periudhë kur blerjen online arrijnë zakonisht kulmin) kanë rënë me rreth 60 për qind në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Burime nga kompanitë postare thonë se është vënë re një rënie e blerjeve “on line” për shkak të krizës së konsumit. Lajmi duket se nuk është pritur mirë nga konsumatorët shqiptarë të cilët nëpërmjet blerjeve “On line” thonë se sigurojnë mallra me të mirë dhe më të lirë se ata në tregun shqiptar. Kryesisht bëhet fjalë për veshje, këpucë, paisje elektronike, pjesë këmbimi, etj.