KRYEFAQJA » LAJME » Kujdes nga vapa, sërish ditë të nxehta

Kujdes nga vapa, sërish ditë të nxehta

Për të gjithë ata që nuk kanë shkuar ende me pushime, mund të thuhet se lajmet janë të mira dhe pushimet e tyre nuk do të rrezikohen nga ndryshimi i motit. Vapa do të vijojë deri në fundjave. Madje sinoptikant parashikojnë që për tre ditët në vijim do të ketë rritje të temperaturave me nga 2 gradë duke e çuar termometrin deri në 41 gradë Celcius.
Por nga ana e tyre mjekët këshillojnë kujdes, pasi i nxehti nuk ka qenë i shëndetshëm për disa. Me spostimin e popullatës drejt bregdetit, është rritur dhe mundësia që shumë sëmundje të verës të jenë të pranishme. Sipas Minsitrisë së Shëndetësisë në 25 qendra shëndetësore në të gjithë vijën bregdetare, kanë kerkuar ndihmë rreth 17 mijë turistë në të gjithë vendin ndërkohë që një numër i vogël i janë drejtuar spitaleve. Sipas mjekëve sëmundshmëria ka përfshirë shumë diagnoza. Dr.Silva Gjika në Qendrën Shëndetësore Shëngjin, thotë se: “Në përgjithësi, rastet që drejtohen te ne kanë natyrë të larmishme, por ato që kulmojnë janë gastroenteritet, gjendjet febrile, pickimet nga insektet apo peshqit në det. Kuptohet që ka edhe raste kardiake, më të pakta në numër, po që nuk mungojnë, raste të cilat në bashkëpunim me Spitalin Rajonal të Lezhës i zgjidhim shumë mirë. Kemi raste të traumave, pak raste incidentesh për rrezikim të mbytjes në det, por kemi arritur t’i japim ndihmën e shpejtë, dhe në bashkëpunim me spitalin ia kemi dalë mbanë”.
Nga një monitorim i Ministrisë së Shëndetësisë rezulton se numri i turistëve që kanë marrë shërbim shëndetësor eshte disa herë më i madh se vitin e kaluar.