KRYEFAQJA » LAJME » Kukan-Flekenshtein: Data e negociatave varet nga Reforma në Drejtësi
Kuka-Flekenshtajn: Data e negociatave varet nga Reforma në Drejtësi

Kukan-Flekenshtein: Data e negociatave varet nga Reforma në Drejtësi

Përfundimi i Reformës në Drejtësi do të jetë guri i provës për politikën shqiptare, në mënyrë që vendi të marri një datë për hapjen e bisedimeve me BE. Duket se ky është thelbi i kërkesave që raporterët e PE për Shqipërinë, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtein, ju drejtuan autoriteteve shqiptare gjatë vizitës së tyre të hënën në Tiranë, por edhe i garancive që moren prej tyre. Ata patën takime të njëpasnjëshme me kryeparlamentarin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha. “Jam i lumtur që nga ajo që dëgjova nga z.Meta, z.Rama e Z.Basha. Ata më bindën se ekziston dëshira për të gjetur një zgjidhje dhe ky është hapi i parë, pas vërejtjeve të Venecias do të shohim se ku janë problemet dhe do tju ndihmojmë, jo vetëm këtu para kamerave” tha zoti Flekenshtejn. Ndërsa zoti Kukan, ndërsa kujtoi se Shqipëria është vend kandidat tha se “Në mënyrë që te marrë një datë për hapjen e negocitave, ka disa pritshmëri për Shqipërinë dhe më e rëndësishmja që duhet implementuar është reforma në drejtësi”.
Në pak javë në PE, pritet të diskutohet raporti i zotit Flekenshtejn për Shqipërinë. “Do të kërkoj që KE të ketë një mision monitoruese që të shohë çfarë do të ndodhë me zbatimin e saj” tha ai . “Reforma nuk bëhet as për të kënaqur zonjën Merkel, as për të kënaqur zotin Junker, por për qytetarët shqiptarë. Prokurorite dhe gjykatat duhet te jene të pavarura. Nuk mund të jap një koment, se si do ta trajtoje paralmenti këtë çështje” shtoi zotit Flekenshtejn.
Kryetari i parlamentit Ilir Meta, duke u ndalur në ligjin për dekriminalizimin tha se ai “tashmë ka hyrë në fuqi dhe sëbashku edhe me vendimet e tjera që kuvendi po punon në mënyrë konsensuale do të bëjë që zbatimi i tij të nisë brenda dy muajsh”.
Kreu i PD në opozitë Lulzim Basha, përsëriti deklaratën e njohur se PD, është e hapur për dialog me shumicën. “Për reformën në drejtësi përsërita vullnetin e opozitës për një bashkëpunim të hapur dhe pa kushte me maxhorancën në frymën e konsensusit politik, për të prodhuar një reformë në drejtësi e cila lufton korrupsionin por pamundëson kapjen politike dhe vendosjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në shërbim të qeverisjes, qeverisë apo kryeministrit aktual apo kushdo qoftë ai. Në këtë kuadër theksova rëndësinë që merr dialogu politik” tha zoti Basha.
Pavarësisht deklaratave optimiste, dy reporterët e PE, tashmë të familjarizuar po politikën shqiptare, kanë premtuar ndërmejtësim me dyer të mbyllura, në rast se sipas tyre do të jetë i nevojshme, kur reforma të hyjë në pikën e saj më të nxehtë, hartimin e draftit përfundimtar pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias.