KRYEFAQJA » LAJME » Kukës, protestë ndaj taksës konçensionare për “Rrugën e Kombit”

Kukës, protestë ndaj taksës konçensionare për “Rrugën e Kombit”

Qytetarë, përfaqësues të shoqatave të biznesit, përfaqësues të pushtetit lokal dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë zhvilluar sërisht të mërkurën një marshim proteste kundër vendosjes së taksës në “Rrugën e Kombit”. Marrshimi është zhvilluar në rrugën kryesore të qytetit të Kukësit ku përmes pankartave në duar dhe thirrjeve të ndryshme protestuesit i kanë kërkuar qeverisë dhe Ministrisë së Transporteve që qarkun e Kukësit të mos e përfshijnë në pagesën e taksës që pritet të vendoset së shpejti.
Ata e konsiderojnë këtë taksë, e cila mendohet të jetë 5 euro, të padrejtë për disa arsye. Sipas tyre “Rruga e Kombit” është ndërtuar me fondet e buxhetit të shtetit, mungon rruga alternative që lidh qarkun e Kukësit me pjesën tjetër të vendit, ndërkohë që si të gjithë zotëruesit e makinave, edhe ata të Kukësit paguajnë taksën vjetore të qarkullimit. Përfaqësues të pushtetit lokal, komunitetit të biznesit dhe qytetarë të thjeshtë paralajmërojnë protesta të forta nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre. Një marshim i ngjashëm është mbajtur edhe në rrethin e Tropojës.