KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Kumbaro: “Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar”
Kumbaro: "Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar"

Kumbaro: “Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar”

Ministrja e Kulturës e Shqiërisë, Mirela Kumbaro ka deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është jo vetëm i nevojshëm, por mëse i merituar. Duke folur të shtunën në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris, zonja Kumbaro tha se “përsa i përket qasjes së tyre ndaj trashëgimisë kulturore autoritetet kosovare dhe elita e kosovës kanë treguar përgjegjësi institucionale dhe kulturore. Ata kanë reaguar njëzëri kundër dëmeve të shkaktuara nga trazirat e marsit 2004 ndaj kishave e manastireve ortodokse”. “Pjesa më e madhe e objekteve të dëmtuara nga trazirat e vitit 2004 janë restauruar dhe rindërtuar me financimet e qeverisë së Kosovës dhe të partnerëve ndërkombëtarë” tha ministrja Kumbaro. “Që prej fillesës së qytetërimit ballkanik trashëgimia kulturore në Kosovë ka qenë themeli i përbashkët i burrave e grave, të cilët kanë ndarë gjithçka, konfliktin dhe armiqësitë e një brezi madje edhe dy, e nuk mund të ndryshojnë çfarë përmban toka në thellësitë e saj kulturore dhe historike”, vlerësoi Ministrja e Kulturës e Shqiërisë Mirela Kumbaro.
Sipa saj pranimi i Kosovës në UNESCO, nuk është thjesht një çështje anëtarësimi, por është e gjithë çështja e emancipimit të shoqërisë dhe të gjithë shoqërive të mendjes së hapur. “Kosova me historinë , popullin, monumentet dhe kulturën e saj ka ruajtur një pjesë të mozaikut kulturor të Ballkanit. Të gjitha shtetet e tjera të rajonit janë anëtarë të UNESCO dhe do të ishte absurde, madje edhe qesharake që një anëtar i familjes së Ballkanit të mos jetë formalisht brenda organizatës më të madhe në aspektin kulturës dhe arsimit” tha zonja Kumbaro.
“Kultura nuk njeh kufij administrativë, vijoi ajo, kultura nuk mbrohet duke përjashtuar tjetrin përkundrazi ajo pasurohet nga shkëmbimi dhe përfshirja. “Ky është thelbi i ekzistencës së UNESCO. Për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është e interesuar vetëm Kosova, por edhe fqinjët e saj Serbia, Shqipëria Maqedonia, Mali i Zi të cilët përfitojnë po aq shumë” nënvizoi ministrja Kumbaro. “Nuk do të mund të mbrojmë dhe të promovojmë kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore pa mbrojtur atë të fqinjve. Për ne është shumë e rëndësishme që të kemi paqe e harmoni në Ballkan, do të ishte mirë që të bashkohemi të gjithë së bashku për të promovuar paqen kjo është në të mirë të të gjithëve”, përfundoi ministrja e kulturës e Shqipërisë Mirela Kumbaro fjalën e saj në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s në Paris.