KRYEFAQJA » LAJME » Kundërshtarët për miqësoret në përgatitje për eliminatoret e Botërorit
rusi, boterori 2018, eliminatoret, grupet perkatese, grupi i shqiperise

Kundërshtarët për miqësoret në përgatitje për eliminatoret e Botërorit

 

Tanimë Evropiani i Francës është hedhur pas krahëve dhe, pas pak ditësh, nis rrugëtimi i gjatë drejt Botërorit të 2018-ës, që do të mbahet në Rusi. Pas shortit të hedhur për Eliminatoret, Shqipëria ndodhet në grupin, së bashku me dy kampionet e botës, Italinë, që e ka fituar 4 herë kurorën e më të mirëve të planetit, dhe Spanjën, që triumfoi më 2010-ën në Afrikë të Jugut, me fqinjët e Maqedonisë, me Izraelin dhe me Lihtenshtejnin. Ndeshjet nisin më 5 shtator dhe 4 prej skuadrave të këtij grupi do të luajnë të mërkurën dhe të enjten miqësoret e fundit në përgatitje për këto Eliminatore. Ndërkohë që Shqipëria ndeshet me Marokun të mërkurën, edhe Lihtenshtejni përballet në të njëjtën kohë me Danimarkën. Ndërkaq, dy “të mëdhatë” e grupit, Spanja dhe Italia, zbresin të enjten në fushën e blertë. Për iberikët e drejtuar tashmë nga trajneri Lopetegi, nis era e re e “pas-Del-Boskes” dhe prova e zjarrit para Eliminatoreve është Belgjika. Ky takim nis në ora 20:45 dhe luhet në Spanjë, ndërsa 15 minuta më pas, Italia, e cila gjithashtu luan në shtëpi, pret në një miqësore luksi Francën.