KRYEFAQJA » LAJME » Kupa e Shqipërisë, Laçi fiton ndaj Skënderbeut, Kukësi ndaj Flamurtarit
Kupa e Shqipërisë, Laçi fiton ndaj Skënderbeut, Kukësi ndaj Flamurtarit

Kupa e Shqipërisë, Laçi fiton ndaj Skënderbeut, Kukësi ndaj Flamurtarit

Laçi ka marrë një fitore minimale, por mjaft të vyer në takimin e parë të gjysmëfinales së parë të Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut, duke treguar edhe një herë pretendimet e e këtij ekipi për të mbrojtur trofeun e fituar sezonin e shkuar në veprimtarinë e dytë më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Takimi i së mërkurës, i luajtur në Stadiumin e Laçit, nuk ka arritur të ngrihet dot në nivelin e pritshëm kur ndeshen me njëra-tjetrën fituesja në fuqi e Kupës me kampionen në fuqi dhe kryesuesen e kampionatit. Për rrjedhojë, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura, edhe për shkak të një golin të anuluar për pozicion jashtëloje të Laçit. Ndërsa pjesa e dytë ka nisur praktikisht me gol, pasi vendasit, që me anë të Cetkoviçit, i cili është ndihmuar edhe nga një devijim i mbrojtjes korçare, kanë gjetur epërsinë. Dhe kurbinasit do ta ruajnë këtë epërsi, edhe pse janë detyruar t’i luajnë 20 minutat e fundit të kohës së rregullt, pas daljes me karton të kuq të Vuthajt. Përfundimisht, Laçi fiton me rezultatin 1-0 dhe shkon në ndeshjen e kthimit, që luhet pas dy javësh, më 20 prill, me gjysmën e punës së kryer. Takimi i parë i çiftit tjetër gjysmëfinal, Flamurtari-Kukësi, i cili është luajtur më mbrëmje në Vlorë, është fituar nga verilindorët me rezultatin 2-0.