KRYEFAQJA » LAJME » Kupa e Shqipërisë në RTSH
Kupa e Shqipërisë në RTSH

Kupa e Shqipërisë në RTSH

Veprimtaria e dytë e futbollit shqiptar, Kupa e Shqipërisë, luan sot të gjitha ndeshjet e para të turit të saj të dytë, apo thënë ndryshe, turit të 16-shes. Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar do të sjellë për sportdashësit, duke nisur nga ora 14:00, një nga duelet më të spikatura të grupit B, atë midis Kamzës dhe Vllaznisë. Vendasit, të cilët militojnë në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Parë, e kanë nisur mjaft mirë sezonin e ri, duke kryesuar bindshëm renditjen e grupit A dhe duke qenë pretendentë seriozë për ngjitjen në Kategorinë Superiore. Madje Kamza shpreson që, pasi ka eliminuar në turin e mëparshëm një skuadër të Kategorisë Superiore, siç është Korabi, të bëjë të njëjtën gjë me Vllazninë. Midis çifteve të tjera të këtij turi, spikatin duelet Apolonia-Skënderbeu, Dinamo-Kukësi, Luftëtari-Tirana dhe Bylis-Laçi, në grupin A, ndërsa në grupin B, të gjitha duelet janë përballje midis skuadrave të Kategorisë Superiore dhe asaj Të Parë.