KRYEFAQJA » LAJME » Kupa e Shqipërisë; Sot ndeshjet e kthimit
kupa-e-shqiperise, sot, luhen, ndeshjet, futboll

Kupa e Shqipërisë; Sot ndeshjet e kthimit

 

Veprimtaria e dytë e futbollit në vend, Kupa e Shqipërisë, luan sot pasdreke ndeshjet e kthimit të turit të 32-shes, që është edhe turi i parë i plotë i saj për këtë sezon. Të gjithë takimet nisin në ora 14:30, por ajo që të bie në sy, është fakti që, disa prej këtyre ndeshjeve luhen nëpër anekse stërvitore, duke ia zbehur kështu vlerën dhe seriozitetin kësaj veprimtarie. Takimet e para u zhvilluan një javë më parë dhe vetëm Kukësi, që fitoi 3-0 në Berat ndaj Tomorit, Laçi, që fitoi 2-0 në Cërrik ndaj Turbinës dhe Bylisi dhe Apolonia, që fituan 3-1 në fushë të huaj, përkatësisht ndaj Shkumbinit dhe Lushnjës, mund të thuhet se e kanë siguruar kualifikimin në grupin A. Ndërsa në grupin B, thuajse të kualifikuar janë Vllaznia, që fitoi 3-0 në Mamurras ndaj vendasve, si dhe Burreli, që fitoi 3-1 në shtëpi ndaj Kastriotit, dhe Besëlidhja, që fitoi po me të njëjtat shifra në Shijak ndaj Erzenit. Sa u përket 9 çifteve të tjera, të paktën duke gjykuar nga rezultatet e ndeshjeve të para, gjithçka është e hapur në betejën për kualifikim, ndonëse duhet theksuar se një numër skuadrash po aktivizojnë në Kupën e Shqipërisë një formacion ndryshe nga ai i titullarëve në kampionat.