KRYEFAQJA » LAJME » KUPA E SHQIPËRISË, SOT, PARTIZANI-BESËLIDHJA NË RTSH

KUPA E SHQIPËRISË, SOT, PARTIZANI-BESËLIDHJA NË RTSH

Veprimtaria e dytë e futbollit shqiptar, Kupa e Shqipërisë, do të luajë sot pasdreke të gjitha ndeshjet e kthimit të turit të saj të dytë, apo thënë ndryshe, turit të 16-shes. Dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar ka sjellë për sportdashësit, një nga duelet më të spikatura të grupit B, atë midis Partizanit dhe Besëlidhjes. Kjo ndeshje, që luhet, sikundër të gjitha ndeshjet e tjera, duke nisur nga ora 13:30, vë përballë të kuqtë kryeqytetas me lezhjanët, të cilët e kanë fituar ndeshjen e luajtur para 3 javësh në fushën e tyre me një gol të vetëm. Ndërkohë, vetëm Tirana, Kukësi dhe Vllaznia kanë hedhur nga një hap drejt vendit në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë, pasi kanë fituar me rezultate bindëse në fushë të huaj, në takimet e para të turit të 16-shes. Sa u përket çifteve të tjera, nuk kanë munguar rezultatet suprizë, çka i bën ndeshjet e kthimit mjaft interesante. Rezultatet e ndeshjeve të para ishin Apolonia-Skënderbeu 2-1, Dinamo-Kukësi 0-2, Luftëtari-Tirana 1-4 dhe Bylis-Laçi 1-1, në grupin A. Ndërsa në grupin B, ku të gjitha duelet janë përballje midis skuadrave të Kategorisë Superiore dhe asaj Të Parë, në ndeshjet e para u arritën rezultatet Besëlidhja-Partizani 1-0, Kastrioti-Teuta 2-1, Kamza-Vllaznia 0-2, Tërbuni-Flamurtari 3-3.