KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Kursimet bankare nuk “prodhojnë” më para

Kursimet bankare nuk “prodhojnë” më para

Për herë të parë që nga viti 1990, kohë kur Shqipëria nisi të prekte ekonominë e tregut, qytetarët shqiptarë që kanë vendosur kursimet e tyre në banka po ndjehen tejet të pakënaqur. Ata po përballen me fitime minimaliste, thuajse afër zeros. Të dhënat e fundit tregojnë se interesi për depozitat njëvjeçare në lek është 1 përqind, ndërkohë që në euro është afër zeros. Rënia e normës së interesit për depozitat në të gjitha monedhat, rënie e cila ka nisur që në vitin 2008, rritja e përqindjes së tatimit në burim, thuajse ka ngrirë llogaritë e kursimit të qytetarëve në banka.

Bankieri Spiro Brumbulli në një intervistë për TVSH u shpreh: “Jetojmë aktualisht në një kohë të paprecedentë, nuk ka ndodhur më parë në një ambient me norma interesi zero dhe negative. Pra, Euro është në norma zero dhe në tregun ndërkombëtar është në norma negative, ndërkohë që norma bazë e lekut ështe 1.25% dhe të gjitha alternativat dhe instrumentat e tjerë paraqesin norma interesi shumë të ulëta”.

Specialisti i ekonomisë Artan Gjergji vlerëson se “është një situatë tërësisht normale në tregjet financiare, një situatë që nuk ndodh vetëm në Shqipëri por ndodh thuajse në të gjitha vendet e botës për shkak të krizës. Bankat qëndrore në përgjithësi i kanë ulur normat e interesit në nivelet e tyre historike minimale”.

Nëse nga qytetarët që kanë depozitë bankat po shihen tanimë si objekte për ruajtjen fizike të parasë, edhe këto të fundit i shohin depozitat e qytetarëve si invetare. “Ne në gjuhën profesionale e konsiderojmë që depozitat që mbledhim, janë kthyer në një inventar në bankë. Pra nuk janë më mjete që mund të investojmë ose të sigurojnë kthime” tha zoti Brumbulli.

Të dekurajuar, qytetarët po shohin mundësi të tjera investimi. Nga ana e tyre ekspertët sugjerojnë të shihen si alternativa blerja e letrave me vlere apo pasuritë e paluajtshme.  “Një alternative jo e keqe e investimit do të ishte bërja e skemave të pensioneve private apo skema të fondit të investimeve” sugjeron specialisti i ekonomisë Artan Gjergji.

Nisur nga situata e krijuar në tregun e kursimeve bankare, qytetarë të ndryshëm po shikojnë alternativa të tjera. Por disa prej tyre fatkeqësisht po bien pre e mashtrimeve. Kohët e fundit është folur për egzistencën e skema të ndryshme investimi, të cilat njësoj si firmat piramidale të më shumë se dy dekada më parë, duke premtuar fitime të mëdha kanë zhvatur jo pak njerëz.