KRYEFAQJA » LAJME » Kushtetuta e Kosovës, 8 vjet nga hyrja në fuqi, zbatimi i saj mbetet sfidë
kushtetuta

Kushtetuta e Kosovës, 8 vjet nga hyrja në fuqi, zbatimi i saj mbetet sfidë

Sot bëhen tetë vjet nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ish-anëtari i Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, njëherësh nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, ka vlerësuar se funksioni kryesor i Kushtetutës është realizuar. “Kushtetuta e Kosovës ka realizuar misionin e saj historik dhe primar që ka të bëjë me shtetndërtimin dhe implementimin e pavarësisë. Mos të harrojmë se Kushtetua është produkt i negociatave dhe konsensusit ndërkombëtar që ka paraparë ligje shumë të avancuara sa iu përket të drejtave të pakicave. Kështu që, nëse e shikojmë pas tetë vjetëve, mund të themi se funksioni kryesor i Kushtetutës është realizuar”, ka deklaruar Bajrami. Megjithatë, ai ka thënë se akoma në Kosovë nuk është ndërtuar demokracia kushtetuese. “Kemi mungesë të një kulture kushtetuese për faktin se për këta tetë vjet kemi prodhuar kriza shumë të rënda politike dhe kushtetuese të cilat tregojnë se rrugët e ndërtimit të një shteti ligjor dhe kushtetues marrin më shumë kohë dhe kërkojnë më shumë angazhime në radhë të parë të institucioneve shtetërore, por edhe të një procesi të edukimit të përgjithshëm për rolin që duhet ta ketë Kushtetuta në një shtet dhe në një shoqëri demokratike”, është shprehur Bajrami, duke shtuar se aktualisht janë tri sfida për sa i përket Kushtetutës. “Sfida e parë është rritja e nivelit të edukimit kushtetues të shtetit, të institucioneve, të partive politike dhe të qytetarëve për rolin që ka Kushtetuta në një shoqëri demokratike. Sfida e dytë është, padyshim, shtrirja e veprimit të Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës dhe evitimi i cilësdo formë tjetër të shkeljes së Kushtetutës, sidomos në pjesën veriore të vendit. Dhe sfida e tretë është rishikimi i Kushtetutës në segmentet e qeverisjes për ta bërë një qeverisje sa më funksionale dhe për t’i evituar pasojat e krizave të cilat janë shfaqur qoftë me largimin e dy presidentëve, qoftë me krizat politike që kanë pasur manifestime në vonesat e krijimit të institucioneve demokratike”, ka vlerësuar Bajrami.