KRYEFAQJA » LAJME » Kuvendi i Kosovës miraton MSA, por opozita e bojkoton
Kuvendi i Kosovës miraton MSA, por opozita e bojkoton

Kuvendi i Kosovës miraton MSA, por opozita e bojkoton

Me 86 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit midis Kosovës dhe BE, nënshkruar javën e kaluar në Bruksel. Partitë opozitare, të cilat prej kohësh janë duke bojkotuar dhe penguar edhe me forcë mbajtjen e seancave të Kuvendit, e kanë bojkotuar votimin e këtij projektligji. Menjëherë pasi shefat e grupeve parlamentare përfunduan diskutimet, të gjithë deputetët e opozitës, me përjashtim të atij të “Vetëvendosjes”, Ilir Deda, u larguan. Deputeti Deda tha në foltore se ai qëndroi në seancë pasi prezanton zërin e një pjese të opozitës dhe të qytetarëve që janë kundër qeverisë, por pro MSA-së.
Më parë, deputeti tjetër i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca tha se Kosova, e cila në MSA paraqitet me fusnotë, rrjedhimisht nuk njihet si shtet as nga BE e as nga Serbia. “Në këtë rast është Kosova që e njeh veten si shtet. Kjo MSA e kushtëzon Kosovën që të zbatojë me përpikmëri marrëveshjet me Serbinë, në të kundërt parashikohet mundësia që BE në mënyrë të njëanshme të ndërpresë marrëveshjen me Kosovën”, tha deputeti i Konjufca. Sipas tij, Kosova rrezikon që me marrëveshjet e dëmshme me Serbinë të përfundojë shtet i dështuar si Bosnja dhe ta ketë të pamundur të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian.
Në sallë ndodheshin edhe deputetët e Listës Serbe edhe pse patën paralajmëruar bojkotin e seancës. Në këtë seancë e pranishme ishte edhe presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.