KRYEFAQJA » LAJME » Kuvendi i Kosovës, Mustafa tërheq marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi
Kuvendi i Kosovës, Mustafa tërheq marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

Kuvendi i Kosovës, Mustafa tërheq marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

Me kërkesë të kryeministrit Isa Mustafa, Kuvendi i Kosovës hoqi nga rendi i ditës i të enjtes ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Sipas zotit Mustafa seanca e sotme nuk ofronte rrethanat e duhura për miratimin e marrëveshjes. “Unë si Kryeministër konsideroj se sot nuk janë rrethanat që sot duhet të votojmë për Demarkacionin me Malin e zi dhe Qeveria e heq nga rendi i ditës votimin për demarkacionin”, tha Kryeministri Mustafa. “Tërheqja e këtij projektligji nuk nënkupton që ne do ta rishikojmë ose rinegociojmë marrëveshjen, por do ta sjellim në kuvend në një kohë më të përshtatshme” sqaruar ai.
Ndërkohë, jashtë parlamentit Lëvizja “Vetevendosja”, një nga partite opozitare që e kanë kundërshtuar fuqishëm marrëveshjen, mbajtën një protestë të cilën e konsideruan si më masiven. Dy partitë e tjera opozitare, AAK e Nisma kishin deklaruar se nuk do të merrnin pjesë në të. Pas bojkotit disamujor, deputetët e këtyre partive ishin prezentë në seancë, ndërsa deklaruan se do të votonin kundër marrëveshjes së demarkacionit.
Para protestes, policia e Kosoves bëri te ditur se gjatë një operacioni për parandalim të veprimeve të kundraligjshme, ka arritur të zbulojë rreth 50 çanta me “koktej Molotov”, brenda në një depo të Termokosit në Prishtinë. Bashkë me policinë e Kosovës, në shesh u pozicionuan edhe forca të KFOR-it pas paralajmërimeve për dhunë gjatë protestës. Mediat kosovare njoftuan se deputetja e “Vetevendosjes” Donika Kadaj-Bujupi, nuk u lejua të hynte në seancë dhe është ndaluar nga policia pasi asaj i është gjetur gaz lotsjellës me vete. Në polici është shoqëruar edhe deputetja tjetër e “Vetevendosjes”, nenkryetarja e parlamentit, Aida Dërguti, pasi është kapur duke nxjerrë gaz lotsjellës nga trupi në tualetin e Kuvendit të Kosovës.