KRYEFAQJA » LAJME » Kuvendi miraton protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO
kuvendi-i-shqiperise1

Kuvendi miraton protokollin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO

Me 109 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ratifikimin e protokollit të Traktatit të Atlantikut Verior për aderimin e Malit të Zi. Pas votimit të protokollit, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke uruar vendin fqinj për këtë moment të rëndësishëm, nënvizoi se shqiptarët asnjëherë nuk do ta harrojnë mikpritjen që Milo Gjukanoviç u dha shqiptarëve të dëbuar nga genocidi serbomadh në vitet 1998-99. Ndërsa njohjen e Kosovës, Mali i Zi e ka mirëpritur duke e votuar me unanimitet, vleresoi kryeparlamentari Meta. Gjatë diskutimeve ne seancë ishte i pranishëm dhe kryetari i parlamentit malazez, Darko Pajoviç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Ky dokument i rëndësishëm i Aleancës, i nënshkruar më 19 maj gjatë Ministerialit të Jashtëm të NATO-s, pritet të ratifikohet nga parlamentet e 28 vendeve anëtare dhe nga parlamenti malazez. Kjo do t’i hapë rrugën pranimit të Malit të Zi, si anëtari i 29-të i organizatës më të madhe ushtarake në botë. Ratifikimi i këtij protokolli është një hap i rëndësishëm i Aleancës për të zgjeruar rrethin e shteteve anëtare dhe zonën e saj te sigurisë.