KRYEFAQJA » LAJME » Kuvendi i Kosovës vendos për mandatin e EULEX-it
eulex-kosove

Kuvendi i Kosovës vendos për mandatin e EULEX-it

Kuvendi i Kosovës pritet që në një seancë të jashtëzakonshme të vendosë për vazhdimin e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX. Qeveria i ka proceduar Kryesisë së Kuvendit, Projektligjin i cili do të vihet për miratim në Kuvend. Sipas procedurave, miratimi i vazhdimit të mandatit të EULEX-it kërkon dy të tretat e votave të deputetëve. Partitë e koalicionit qeverisës tashmë kanë rënë dakord për t’i vazhduar edhe për dy vite mandatin misionit të BE-së, por me kërkesën që të reduktohen kompetencat e këtij misioni. Ndërkaq opozita do të veprojè në forma të ndara. Vetëvendosje ka paralajmëruar pjesëmarrjen në seancë, por edhe kundërshtimin e vazhdimit të mandatit të EULEX-it, kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën nuk pritet të jenë fare në seancë. EULEX-i është misioni me i madh i Bashkimit Evropian i shtrirë në një vend. Ky mision, përveç kompetencave të caktuara ekzekutive në fushën e drejtësisë, kryesisht merret me këshillimin dhe monitorimin e institucioneve të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit. Misioni i EULEX-it është vendosur në Kosovë në qershor të vitit 2008, për të ndihmuar rendin ligjor pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ky mision ka trashëguar një pjesë të kompetencave nga misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK.