KRYEFAQJA » LAJME » “Laguna Blu”, përplasje mes PD dhe Kryeministrisë
"Laguna Blu", përplasje mes PD dhe Kryeministrisë

“Laguna Blu”, përplasje mes PD dhe Kryeministrisë

Një ndërtim privat në fshatin luksoz turistik “Laguna Blu” në plazhin e Qerretit, ka ngritur një stuhi të opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama. Deputeti demokrat Gent Strazimiri, nga selia e partisë së tij, e akuzoi zotin Rama se me disa vendime të fundit, po favorizon klientelën e tij politike. “Klientelizmi dhe dy standardet, shoqëruar me dhunë e arbitraritet janë e vetmja formë për këtë qeveri që po numëron ditët e fundit” tha zoti Strazimiri. Sipas tij ““Ligji i Maliqit” për të pamundurit dhe privilegji e hatri për miqtë janë shfaqur së fundmi në formën më arrogante të mundshme në bregdetin e Golemit, ku Edi Rama ka dhënë leje për prishjen e ambjenteve sportive e të përbashkëta për banorët, në resortin Laguna Blu, duke lejuar që aty të hedhë shtat një ndërtim skandaloz”.”Me firmën e Edi Ramës po grabitet një pasuri publike për t’u kthyer në biznes për klientelën e tij dhe për ata që kërkon ti nënshtrojë” tha deputeti demokrat. “Partia Demokratike e dënon këtë akt korruptiv të Edi Ramës dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të punimeve dhe kthimin në ligjshmëri” deklaroi zoti Strazimiri në emër të partisë së tij. “Ky regjim arbitrar, klientelist e me dy standarde i ka ditët e numëruara, dhe shpejt do të vijë koha e ballafaqimit me ligjin, për këtë dhe për të gjitha zullumet që ka bërë në këtë vend, sado të përpiqet të shtojë me mjerane të rinj, haremin e tij mediatik”.
Por deklarata e opozitës është përgënjeshtruar në portalin qeveritar transparenca.al. Sipas saj, “Kryeministri Edi Rama dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk kanë asnjë lidhje me ndonjë leje ndërtimi në të ashtuquajturën “Laguna Blu”. Leja e dhënë nga komuna rezulton të jetë dhënë mbi një truall pronë private, mbi bazën e studimit urbanistik te zonës në fjalë, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, nën drejtimin e kryeministrit të kohës Sali Berisha” bën të ditur transparenca.al. Portali qeveritar sqaron se “vendimmarrjet e ndryshme të KKT-së, lidhur me bllokimin e lejeve të ndërtimit në qytetet apo në zonat e mbrojtura, në kuadrin e vendosjes së rendit ligjor mbi territorin, as nuk kanë lidhje me zonën në fjalë, as nuk kanë cenuar ndonjëherë të drejtën e njësive vendore për të dhënë leje ndërtimi për njësi familjare banimi dhe/ose turistike, mbi bazën e studimeve urbanistike të miratuara”.