KRYEFAQJA » LAJME » Lajçak: Shqipëria do të jetë e kënaqur!
Lajçak: Shqipëria do të jetë e kënaqur!

Lajçak: Shqipëria do të jetë e kënaqur!

Për herë të parë, Këshilli i BE-së nuk miratoi konkluzione mbi paketën e vendeve të zgjerimit, ndryshe nga praktika e deritanishme kur ai përgjigjej çdo dhjetor ndaj vlerësimeve të vjeshtës së Komisionit. Drafti i pajtuar mes 27 diplomatëve europian, javën e kaluar, u publikua në formën e “Deklaratës së Presidencës Sllovake”.
Ashtu siç pritej, bisedimet e ministrave për vendet e zgjerimit u përqëndruan tek Turqia. Burime pranë këtij takimi rrëfyen se Austria këmbënguli për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit me Turqinë, edhe pas ndërprerjes së mbledhjes, e pakënaqur me deklaratat e fundit të zyrtarëve të Ankarasë për drejtuesit e Vjenës.

Lidhur me Shqipërinë, në deklaratën e Këshillit vërehet se “Këshilli vëren pozitivisht rekomandimin e Komisionit për të hapur bisedimet e anëtarësimit më Shqipërinë, në varësi të një përparimi të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në veçanti të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Lidhur me këto zhvillime, Arta Tozaj e RTSH pyeti ministrin e jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajçak, vend i cili gjatë gjashtëmujorit të dytë të kishte presidencën e radhës së Bashkimit Europian.

Arta Tozaj: Zoti Lajcak, në nisje të Presidencës suaj, ju ishit plot shpresë se bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë do të nisnin brenda mandatit tuaj, ndërkohë që tani, në fund, rezulton se nuk ka fare as konkluzione mbi vendet e zgjerimit. E di se zoti Vuçiç u largua i pakënaqur nga Brukseli, por ju do të mbani gjithësesi 2 konferencat ndërqeveritare me Serbinë dhe Malin e Zi për hapjen e dy kapitujve të radhës, respektivisht. Kur prisni që të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë për t’i krijuar mundësinë Komisionit që të nisë shqyrtimin dhe ky proces të fillojë realisht, në vend të premtimeve se një ditë do jetë brenda BE-së?

Miroslav Lajçak: Unë mendoj se nuk ka arsye për qytetarët shqipëtarë që të zhgënjehen, sepse në fillim të presidencës sonë, ne e pamë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me vendin, si një dëshirë, më shumë se një qëllim, pasi kishte shumë të panjohura përgjatë rrugës sonë.

Me rëndësi është që Shqipëria dorëzoi mbi prioritetetin kryesor, që është miratimi i legjislacionit kyç për drejtësinë dhe sundimin e ligjit. Tani nevojitet që të kryhet zbatimi. Duke folur mbi konkluzionet, siç u pajtuam, është me shumë rëndësi që aty ka një përcaktim të qartë për ne, se nuk kemi nevojë të presim deri kur të publikojë Komisioni raportet e progresit, që siç e dimë është pranvera 2018, por ka një angazhim të qartë të Komisionit për të informuar, apo për t’ju kthyer procesit të Shqipërisë, sapo të arrihet progresi i prekshëm, ose kurdo që të arrihet ai. Mendoj se ky është një rezultat i pastër e i qartë dhe për mua, Shqipëria do të jetë e kënaqur me këtë, tha zoti Lajçak.

Konkluzionet e Presidencës Sllovake të BE-së përmbledhin plotësisht 9 paragrafet e draftit të fundit të pajtuar mes vendeve anëtare. Krahas progresit të qëndrueshëm në 5 pesë prioritetet kyçe, vendi lavdërohet edhe për miratimin e ligjit të ashtuquajtur “për dekriminalizimin”, i cili mbetet për t’u zbatuar gjithashtu, ndërsa dialogu i qëndrueshëm konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës mbetet thelbësor për avancimin me axhendën e reformave, veçanërisht për finalizimin në kohë të reformës elektorale.