KRYEFAQJA » LAJME » “Lantus” tregëtohet me kushte

“Lantus” tregëtohet me kushte

Medikamenti i insulinës, një prej më jetikëve për diabetikët, po tregëtohet me kushte. Sipas hetimeve nga Autoriteti i Konkurrencës, kompania e vetme që ka të drejtën e tregtimit të  insulinës “Lantus”, “ Fufarma”, i detyron farmacistët që për çdo pako insulinë të blejnë edhe 10 pako të një medikamenti tjetër. Nisur nga ankesat zyrtare dhe monitorimi në terren, Autoriteti i Konkurrencës,  po vazhdon një hetim të thelluar mbi kompaninë e tregtimit të insulinës për abuzim me pozitën monopol. Në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës, bëhet e ditur  se sipas  farmacistëve ky problem ka ardhur duke u shtuar gjatë tre javëve të fundit ku edhe sasia e mallrave shtesë që ju kërkohej nga kompnia për ti blerë bashkë me insulinën “Lantus” është shtuar shumë. E kontaktuar nga TVSH në telefon kryetarja e Autoritetit të Konkurencës Lindita Lati tha se “Tregtimi me kushte është një lloj kostoje e shtuar dhe  kjo lloj sjellje është shkelje e ligjit. Pikërisht për të parë se deri në ç’masë është shkelur ligji, po hetohet”. Edhe kryetarja e Urdhrit të Farmacistit Diana Toma,tha se problemi daton që në shtator të vitit të kaluar.