KRYEFAQJA » LAJME » Lapraka me kënd të ri lojrash për fëmijë
sheshi bajron, bashika tirane, kend lojrash, punime, tirane

Lapraka me kënd të ri lojrash për fëmijë

Veliaj: “Çdo ditë nga një punë konkrete për Tiranën; Fushë basketbolli dhe kënd lojërash për fëmijët e Laprakës”

Lapraka do të ketë së shpejti një fushë të re sportive dhe një kënd lojërash për fëmijë. Bashkia e Tiranës ka nisur punën për të sjellë në jetë një tjetër projekt të rëndësishëm për komunitetin në sheshin “Lord Bajron”, i cili do të mundësojë mjedise argëtuese e çlodhëse për të rinjtë dhe fëmijët e njësisë nr. 11. Sipas Planit të ri të Përgjithshëm Vendor, Lapraka do të jetë edhe një nga poliqendrat e Tiranës. Nisja e punimeve për projektin e ri u inspektua nga kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili theksoi se bashkia e kryeqytetit respekton moton e saj për të bërë një punë konkrete çdo ditë.

Investimet në Laprakë, theksoi kryebashkiaku, tregojnë se bashkia nuk po investon vetëm në qendër të Tiranës, ndërsa po ndjek filozofinë e investimeve sipas projektit të ri urbanistik.

Veliaj kujtoi gjithashtu se, Bashkia e Tiranës ka bërë një premtim që brenda këtij viti kalendarik të gjitha lagjet e reja të Tiranës të kenë terrene të reja sportive dhe kënde lojërash. Po ashtu, edhe shkollat e kryeqytetit do të kenë ambiente të rikonstruktuara.

I siguroj qytetarët që në shtator, kur të jenë kthyer nga pushimet, të gjitha shkollat do të jenë me infrastrukturë të përmirësuar, të lyera, të higjienizuara, të adresuara me të gjithë nevojat që kanë pasur për ngrohje, përpara se të nisë stina e ftohtë dhe më vjen mirë që ky projekt i rehabilitimit urban, i kthimit të një”baltovine” në një ambient të urbanizuar është në fakt metafora më e bukur e vitit tonë të parë në drejtimin e Bashkisë së Tiranës”.

Kreu i bashkisë së Tiranës vlerësoi edhe mbështetjen e investitorëve për projektet që po vihen në zbatim.