KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Largimi i Anglisë nga BE, nervozizëm në tregjet financiare
A worker shelters from the rain as he passes the London Stock Exchange in the City of London at lunchtime October 1, 2008. REUTERS/Toby Melville/File Photo

Largimi i Anglisë nga BE, nervozizëm në tregjet financiare

Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney deklaroi se institucioni ishte i gatshëm të injektonte 250 miliardë stërlina ose 326 miliardë euro nga fondet shtesë për të siguruar likuiditete të mjaftueshme për funksionimin e tregjeve, pas fitores së Brexit. ”Banka Qendrore britanike është gjithashtu në gjendje për të financuar likuiditete të konsiderueshme në valutë të huaj, në rast nevoje”, shtoi Carney në një intervistë televizive. Tregjet financiare reaguan ndjeshëm me ulje pas rezultateve të deritanishme të referendumit për daljen ose jo të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.
Në Japoni treguesi Nikkei ishte sot në mëngjes minus 7,1 për qind.
Në Hong Kong treguesi Hang Seng ishte minus 4,5 për qind.
Në Kinë, indeksi Shanghai Composite Index ishte minus 1,19 për qind.
Në Australi indeksi S&P/ASX200 ishte 3,8 për qind.
Në Indi treguesi Bombay Stock Exchange ishte minus tre për qind.
Në Londër minus 6,1 për qind.
Frika se britanikët do të largohen nga Bashkimi Evropian e çoi sot stërlinën në nivelin më të ulët pas më shumë se 30 vitesh.
Ajo ishte sot në nivelin nën 1,3 dollarë, për herë të parë që prej vitit 1985.
Sipas rezultateve zyrtare, 52% e britanikëve kanë votuar pro daljes së vendit të tyre nga Bashkimi Evropian; ndërkohë që 48% kanë votuar në favor të qëndrimit në Union.
Kryeministri David Cameron kishte paralajmëruar se vendimi në favor të “Brexit” mund ta çonte ekonominë e vendit në recesion. Nga ana tjetër, çështja më e diskutuar në Angli është bërë menjëherë e ardhmja politike e vendit pas referendumit. Politikanë skocezë sinjalizuan mëngjesin e sotëm pa humbur kohë se mund të organizojnë një plebishit të dytë për pavarësi. Rrjedhimisht, vendimi i referendumit në Angli për largimin e vendit nga Bashkimi Evropian duket se do të provokojë një sërë efektesh negative. Analistët i tremben një efekti domino të mundshëm, që largimi i Britanisë së Madhe nga Unioni mund të shkaktojë në ekonominë globale.