KRYEFAQJA » LAJME » Leskaj: Kosova të bëhet anëtare e KiE-së
Leskaj: Kosova të bëhet anëtare e KiE-së

Leskaj: Kosova të bëhet anëtare e KiE-së

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht Zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Valentina Leskaj, mori pjesë në debatin e Komitetit Politik te KiE për çështjen e Kosovës, i cili u zhvillua në Paris, në kuadër të takimit të radhës të Komitetit Politik të KiE-së, gjatë të cilit u paraqit raporti për Kosovën nga Raporteri i saj, Agustin Conde.
Në fjalën e saj zonja Leskaj, nënvizoi domosdoshmërinë që Kosova të bëhet anëtare e KiE-së me të drejta të plota. “Kjo do të ishte një nxitje dhe inkurajim për Kosovën dhe popullin e saj në rrugën e integrimit evropian, një kontribut i rëndësishëm për stabilitetin e mbarë rajonit dhe perspektivën evropiane të të gjithë vendeve të rajonit. Kosova ka arritur një progres në rrugën e saj drejt konsolidimit të demokracisë, të të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe qëndrueshmërisë së këtyre standardeve. Anëtarësimet e deritanishme të Kosovës në institucionet financiare botërore, por sidomos nënshkrimi i MSA-së dhe ratifikimi i menjëhershëm i saj nga Parlamenti i Kosovës, dëshmojnë për një vullnet të palëkundur politik drejt përmbushjes së standardeve të kërkuara” tha zonja Leskaj.
Në përgjigje, ndaj ndërhyrjes së deputetes serbe mbi raportin, zonja Leskaj përmendi faktin se në të gjithë procesin e rëndësishëm dhe të vështirë të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, Kosova ka shfaqur vullnet të qartë politik duke nënshkruar disa marrëveshje dhe duke i qëndruar opsionit të dialogut të hapur për të gjitha çështjet.
Deputetja shqiptare nënvizoi se ky qëndrim përmirëson jo vetëm klimën e raporteve dypalëshe Kosovë-Serbi, por edhe ndikon në qëndrueshmërinë e stabilitetit në rajon. Zonja Leskaj shprehu keqardhjen që gjuha e përdorur nga deputetja serbe nuk përkon me frymën e KiE dhe nuk kontribuon për paqen, stabilitetin dhe dialogun në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve. “Këtu duhet të ofrohen modele pozitive: Një grup i madh studentësh serbë qëndruan gjatë në familjet shqiptare. Si studentët, ashtu edhe futbollistët e përfaqësueses serbe, deklaruan në mediat vendase dhe të huaja se u ndjenë shumë mirë në Shqipëri”, tha Nënkryetarja e Kuvendit të Shqiërisë dhe njëkohësisht Zëvendëspresidente e Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Valentina Leskaj. “Kjo bën që në rajonin tonë të fryjë era e bashkëpunimit dhe komunikimit mes vendeve dhe popujve” tha ajo.