KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Letër nga vatikani për artizanin shqiptar

Letër nga vatikani për artizanin shqiptar

Njeriu që ndryshoi paragjykimin për shqiptarët në respekt për ta. Njeriu që diti të ngreje lart jo vetëm vlerat e shqiptarit dhe Shqipërise, por edhe të popullit italian, duke u bërë një nga figurat më të nderuara të tre shteteve Italisë, Shqipërisë, Vatikanit.” Kështu shkruajnë mediat italiane për Petrit Kozelin, ish-fotografin që me vajtjen në Itali zgjodhi artizanatin, të bërit e këpuceve me dore, fillimisht për të siguruar jetesën, e tani për t’u shënuar në historinë e shqiptarëve emigrantë që nderuan veten dhe vendin e tyre aty ku shkuan. Këto ditë, ai ka marrë në duar një letër që siç thotë ai e bën të dridhet, të mos arrijë të frenoje jo vetëm emocionet, por edhe lotët e gëzimit. Pas dhuratës që i bëri Papa Franceskut, një pale kepuce të modeluara si flamuri shqiptar, Petrit Kozelit i ka mbërritur letra e falenderimit nga Vatikani. Ati i Shenjtë i kërkon Kozelit “Të lutet për Personin e Tij dhe shërbimit të tij në Kishë”. Kepucët e dhuruara tashmë përkufizohen si “kepucët e paqes”, dhuruar nga një shqiptar, vendi i të cilit njihet në mbarë botën për tolerancen fetare dhe bashkëjetesën në harmoni. Shqiptarin që prej me shumë se 20 vitesh jeton e punon në Mantova, ish-presidenti italian Giorgio Napolitano e ka nderuar me titullin “Cavaliere del Ordine”, që u jepet vetëm njerëzve me merita të shquara në fushën ku ata veprojnë. Një nder i veçantë edhe për komunitetin shqiptar në Itali.

Kozeli tashmë është personazh i një dokumentari realizuar nga Televizioni Shqiptar me regji të Ylli Pepos, “Të bashkuar dhe larg nënës”. Ndërkohë regjisori Pepo konfirmon se shumë shpejt një dokumentar vetëm për Petrit Kozelin, shqiptarin që nderoi veten dhe vendin nga kishte ardhur, do të jetë gati për publikun.